Mamaja e Sarës rrëfen si i ndryshoi jeta të bijës: Pas lindjes së djalit, nisën problemet
Rubrika “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme historinë e vështirë të Sarës. Ka qenë mamaja e saj, e cila ka rrëfyer në studio problemet me të cilat është përballur vajza e saj.
Të jesh prind nuk do të thotë që je i pagabueshëm dhe diçka të tillë e pranon edhe Shqipja, e cila rrëfen se kur vajza ishte vetëm 15 vjeç, ajo e martoi.
Problemet do të nisnin menjëherë pas lindjes së djalit sepse ai pas 4 muajsh u diagnostikua me epilepsi. Ishte e rëndë për Sarën, e cila u përpoq me bashkëshortin që vogëlushi të kurohej, madje shkuan edhe në Gjermani. Por sipas Shqipes, dhëndri i saj hoqi dorë shpejt sepse nuk pranoi më të qëndronte në Gjermani, kjo sepse e nxisnin edhe prindërit e tij.
Ardit Gjebrea: Ti vjen nga?
Shqipja: Fushë Kruja!
Ardit Gjebrea: Motivi pse ke ardhur këtu është Sara?
Shqipja: Po!
Ardit Gjebrea: Më trego pak të lutem!
Shqipja: Sara një fëmijë shumë i shkathët, një vajzë shumë e qeshur, por unë që 15 vjet e fejova dhe e martova, shumë të re. Sebep që u martua ishte komshiu. I martuam në fillim. martesa shkoi mirë. Mbas një viti që ajo lindi djalin, filluan problemet.
Ardit Gjebrea: Çfarë problemesh?
Shqipja: Djali lindi i sëmurë. Tani lindi sëmurë apo u sëmur më mbrapa, këtë vetëm Zoti e di, ne nuk e dimë Ardit. U bë fëmija 4 muajsh, e sollën, e vizituan ja bënë të gjitha dhe ai doli i sëmurë me epilepsi. Mbas dy vjetësh, Sara mori rrugën me të shoqin në Gjermani, që të shëronte djalin atje. Djali u bë më mirë në Gjermani. Por 8 muaj zgjati në Gjermani.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Shqipja: U kthye bashkëshorti, s’donte të rrinte, donte të vinte tek pleqtë. Filluan grindjet, thyerjet, gjithçka.
Ardit Gjebrea: O Shqipe pse nuk i thonit Sarës diskuto me bashkëshortin, fol me të. Sepse vërtet janë prindërit, por edhe fëmija është drita e syve. Kështu që në ato momente mund të ishte bërë një sakrificë, të qëndronte në Gjermani, derisa të shërohej djali dhe pastaj të ktheheshin?
Shqipja: Ai Ardit nuk dëgjoi të rrinte në Gjermani, dëgjoi të ëmën, donte të vinte në Shqipëri dhe erdhi në Shqipëri.
Ardit Gjebrea: A kishte ndonjë moment që Sara tha nuk dua të jetoj më aty?
Shqipja: Një ditë Tetori ka qenë, Sara mori djalin dhe erdhën në shtëpi. Mami tha nuk mundem të rri, s’mundem ta shtyj më me ata njerëz. Kur s’janë të aftë për fëmijën e tyre, për vajzën time ata s’donin t’ia dinin fare. E mbajta një muaj. Sollën njerëz, u lutën, thanë do kthejmë, do bëjmë çmos që djali të vazhdojë fizioterapinë, se për atë ka më shumë nevojë djali. Por nuk ndodhi kurrë ajo ditë. E ktheva unë gocën.
Ardit Gjebrea: Po Sara donte apo i thatë ju shko?
Shqipja: Jo e çuam ne. Nuk donte Sara të kthehej.
Ardit Gjebrea: Po pse e çuat ju?
Shqipja: Nuk donim që ai fëmijë të rritej pa baba! Ishte një gjë shumë e gabuar që bëmë të dy si prind që e çuam Sarën. /tvklan.al