Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi transportuan një armë zjarri kallashnikov nga Korça. Uniformat blu në kryeqytet kanë arrestuar F.K. 27 vjeç nga Korça dhe Xh.P. 28 vjeç nga Pogradeci, të dy banues në Tiranë.

Ata u vendosën në pranga në terminalin jug-lindor të autobusëve. Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se policia kishte informacione në rrugë operative se të rinjtë po udhëtonin drejt Tiranës me armën me vete.

Kallashnikovi ishte mbështjellë me batanije dhe futur në një çantë të madhe. Dy djemve iu gjet me vete edhe një thikë buke, ndërsa iu sekuestruan edhe 3 celularë.

Nga Korça dy shokët erdhën me autobus të linjës. Akoma nuk dihet arsyeja e sjelljes së armës në Tiranë, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen. Arma do të dërgohet në laborator për ekspertizë, për të parë nëse është përdorur në krime të tjera.

/tvklan.al