Policia e Shtetit ka vendosur një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Ukrainë. Kjo sfidë do të luhet ditën e sotme, në orën 20:45, në Tiranë.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë ditës së sotme, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
• Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
• Rruga “Papa Gjon Pali II”;
• Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
• Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
• Rruga “Themistokli Gërmenji”;
• Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
• Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
• Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
• Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
• Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Policia njofton se efektivët do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
“Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”, sqaron policia.
Gjithashtu, policia apelon tifozët dhe qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin.
“Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar. Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë”, njoftoi policia.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie./tvklan.al