Një marrëveshje e pazakontë i është ofruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nga Presidenti i El Salvador, Nayib Bukele, që shteti i këtij të fundit të strehojë kriminelë të dhunshëm amerikanë dhe të dëbuar nga Amerika të çdo kombësie.

El Salvador është vetëofruar për këtë marrëveshje, që nga ekspertët ndërkombëtarë konsiderohet e paprecedentë dhe që mbart probleme ligjore.

Vetë Sekretari Rubio e ka konsideruar një marrëveshje të pashembullt.

“Një akt miqësie e jashtëzakonshme me vendin tonë. El Salvadori ka rënë dakord për marrëveshjen më të pashembullt dhe të jashtëzakonshme të migracionit kudo në botë. Për më tepër, Presidenti Bukele ka ofruar që të strehojë në burgjet e vendit të tij kriminelë të rrezikshëm amerikanë që janë në vendin tonë, duke përfshirë ata me shtetësi amerikane dhe banorë të ligjshëm”, u tha gazetarëve Marco Rubio.

Marrëveshja u arrit pas turit në në disa vende të Amerikës qëndrore të Sekretarit Marco Rubio, i cili po synon të konsolidojë mbështetjen rajonale të politikës së Presidentit Trump për imigracionin e paligjshëm.

Nuk është e qartë ende nëse SHBA do ta pranojë këtë marrëveshje të ofruar nga El Salvador.

Ekspertët ligjorë thonë se SHBA nuk mund të dëbojë dot shtetasit amerikanë, nëse janë të dënuar ose jo.

/tvklan.al