“Unë tregoj” është një podkast i ideuar për t’u dhënë hapësirë grave dhe vajzave që të ndajnë historitë e tyre kur janë ndier të ngacmuara, të kërcënuara dhe të marrin një ndihmë përmes rrëfimeve të njëra-tjetrës.
Evis Nasto, e cila ndodhet pas kësaj ideje evidenton gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan dy elemente që ka vënë re mes historive: shfajësimin e ngacmuesit dhe vetëfajësimin e viktimës. Ajo shton se një pjesë e mirë e historive janë pasojë e mosdenoncimit, e mosreagimit për shkak të opinionit dhe kulturës për ta injoruar fenomenin me shpresën se do të zhduket. Lidhur me këtë të fundit, Nasto ndan edhe një prej historive që kanë ardhur në podkast.
Evis Nasto: Një histori që më ka bërë përshtypje ka qenë historia e një vajze e cila kishte zgjedhur indiferencën. Sa vajza sot, madje ndoshta edhe mamatë i thonë “mami, mos e vlerëso atë djalin se do të ikë vetë ai?” Në shkollë, në periudhën e gjimnazit dhe në fakultet,historia vazhdon kaq gjatë. Djali e pëlqen, i shpreh pëlqimin por në një mënyrë si një djalë që ndoshta nuk di ta shprehë as në mënyrë etike, të kulturuar por e shpreh në mënyrë të dhunshme, ajo që thotë Mirilda dhe nuk po flasim për adoleshencën e shumë viteve më parë, po flasim për një vajzë që sot është 24 vjeç.
Mirilda Tili: S’paska ndërruar stili.
Evis Nasto: S’ka ndërruar shumë stili. Dhe çfarë ndodhte? Vajza tani, e mësuar, e edukuar në atë formë e zhvlerësonte këtë djalin dhe tha “unë zgjodha që mos të reagoja”. Sa më shumë nuk reagonte, aq më shumë tërhiqej me veprime të dhunshme, jo kundrejt vajzës, por kundrejt gjithë njerëzve me të cilët rrinte vajza. Ai dhunonte çunat që i rrinin afër, gocat i ngacmonte, u hidhte çantat dhe kjo vajza rritet pa shoqëri sepse njerëzit që ishin afër saj, shokë dhe shoqe, nuk rrinin afër vajzës më se kishin frikë nga ky djali që vinte dhe i bezdiste.
Vajza, domethënë historia këputet në mes në momentin që djali vendos të ikë jashtë, i hap edhe një llogari false në rrjetet sociale vajzës, vajza nuk ka as rrjete sociale për këtë arsye dhe arrin deri më sot që edhe pse historia ka 5-6 vite që është mbyllur po themi, 4-5 vite, vajza sot nuk ka një histori të sajën personale, nuk ka pasur kurrë një lidhje, jo për faktin e presionit sesa presioni është kthyer në kulturë, ajo sheh me flamuj të kuq këdo që i afrohet, i duket sikur është i ngjitur, sikur do t’i kthehet në atë bezdinë e atij rastit të parë ose ca më keq, sikur ai do ta shikojë dhe do kthehet për ta dhunuar atë djalin që do t’i afrohet./tvklan.al