E enjtja e kësaj jave ka sjellë motin e paqëndrueshëm në vend shoqëruar me vranësira dhe shira lokalë.

Situata do të përkeqësohet të premten kur i gjithë territori pritet të përfshihet nga rrebeshet e shiut me intensitet të lartë.

Sipas parashikimeve, Ultësira Perëndimore rrezikohet nga përmbytjet.

“Reshjet e shiut do bëjnë që herë pas herë të kemi vërshime dhe përmbytje. Qarqet me reshje me intensitet të lartë janë Shkodra, Lezha, Tirana, Kruja, Dibra, Vlora, Gjirokastra”, thotë sinoptikani Hakil Osmani.

Për rrjedhojë temperaturat e ajrit pritet të bien.

“Duke bërë që maksimumet të zbresin rreth vlerës 26-27 gradë Celsius në rang territori. Në orët e para kemi rënie duke bërë që të shkojnë deri në 6 apo 7 gradë Celsius”.

Moti do të nisë të përmirësohet gradualisht nga pasditja e së premtes.

“Fundjava mbetet në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të sjellin reshje të pakta, kryesisht në gjysmën lindore të territorit, ndërsa Ultësira do të ketë edhe kthjellime”.

Problematike këto dy ditë do të jetë fuqizimi i erës, shpejtësia e së cilës pritet të shkojë deri në 80 km për orë.

Për shkak përkeqësimit të motit Porti i Durrësit njoftoi ndalimin e lundrimeve të trageteve mbrëmjen e së enjtes drejt Barit të Italisë.

Tv Klan