Riviera shqiptare po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet turistike më tërheqëse të Evropës.
Vlerësimin e bën televizioni kombëtar grek, ERT, që nënvizon se me bukuritë natyrore, çmimet konkurruese dhe investimet në rritje, kjo zonë premton eksperienca unike për vizitorët si dhe mundësi të konsiderueshme për sipërmarrësit e turizmit.
Për ERT, riviera shqiptare po shfaqet si motori i zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Kjo zonë duket se po tërheq edhe shumë grekë.
“Himara është shumë e bukur, edhe pse ende relativisht e panjohur. Ka plazhe të organizuara por edhe limane të izoluar me çmimet e dhomave me qira duke filluar nga 40 deri në 150 euro në ditë. Grekët nuk janë vizitorët e rregullt të zonës por si zakonisht kemi vizitorë nga Skandinavia, Gjermania, Franca, Spanja dhe sigurisht nga Italia”, thotë sipërmarrësja Vatika Katselanou.
“Kishim dëgjuar për Himarën por nuk e prisnim që të kishte këtu përreth plazhe kaq mahnitëse. Ja vlen ta vizitosh këtë vend”.
“Erdhëm me makinë këtu nga Parga. Procedurat në kufi ishin të shpejta dhe nuk na zgjati më shumë se 4 orë udhëtim”.
“Na ftuan për pushime miqtë tanë shqiptarë. Kemi zbuluar me varkë gjiret e mrekullueshme dhe po ashtu kemi realizuar lojra ujore”.
“Jetoj në Athinë. Gjatë sezonit veror vij këtu për të administruar biznesin tim. Vë re një fluks në rritje të frekuentimit nga turistët e huaj”, shprehet një biznesmen.
ERT veçon edhe rritjen e fluturimeve nga Aeroporti i Tiranës, ndërsa thekson se një aeroport i ri që po ndërtohet në Vlorë do t’i japë një tjetër hov zonës.
Tv Klan