Pas Bashkisë së Tiranës, Policia Bashkiake bëhet e para trupë që certifikohet me ISO-9001. I pranishëm gjatë marrjes së certifikimit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Policinë Bashkiake dhe punën e saj në këto 10 vjet.
“Më vjen mirë që e dëgjova edhe në fjalimin tuaj se jeni ndjerë i sigurt në Tiranë. është një lajm që e ndajnë, deri tani për ketë vit, edhe nga 9 milionë turistë që kanë vizituar qytetin tonë. Sot, Tirana, kur vjen puna për rastet e krimeve të vogla, ka numrin më të ulët në rajonin tonë dhe Evropën Jugore. Ajo që nisi dikur, në vitet 2000-01, si një skuadër shumë e vogël me vetëm 30 policë, sot është një trupë e jashtëzakonshme e 600 burrave e grave”, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, aleati i Policisë Bashkiake sot janë vetëm qytetarët dhe jo ata që zënë parkimin e lagjes për të bërë biznes informal.
“E di që ka deputetë, të cilët mërziten shumë kur u vihet një gjobë, por Rruga e Elbasanit ka vetëm dy korsi. Kur deputetët zënë një korsi të tërë, vetëm 10 mund të parkojnë. Por, ka edhe 130 kolegë të tjerë që pengohen prej kësaj. Ndërkohë, ka edhe 1 milionë e 300 mijë të tjerë që, në një ditë, përveç rezidentëve, plus turistët, që pengohen prej asaj shkeljeje. Për çdo njeri që mërzitet, gëzohen 1 mijë të tjerë, që duan ligj dhe duan ta shohin Policinë Bashkiake si aleaten e tyre më të madhe. Dikush që ende në 2024 pretendon të ndërtojë pa leje, nuk mund të jetë aleati ynë”.
Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe tek titulli që Tirana mban për vitin tjetër, atë si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, ku priten të organizohen 1 mijë aktivitete dhe siguria mbetet thelbësore.
Tv Klan