Partizani, Tirana dhe Luftëtari ende pa trajner
Nuk ka kohë për fjalime, pasi duhet të përgatisë një ndeshje të rëndësishme. Të mërkurën Teuta do të presë Partizanin që vjen në këtë takim pas dy humbjeve radhazi si dhe me peshën e dështimit në derbi pas thuajse 6 vitesh, çka rëndon më shumë për të kuqtë.
Nëse Teuta e zgjidhi shpejt çështjen e trajnerit, Partizani, Tirana dhe Luftëtari duket se do të presin pushimin e kampionatit këtë fundviti për të gjetur trajnerin.
Mendimi se një teknik nuk ka kohë të sjellë ndryshime në dy ndeshjet e radhës ka bërë drejtuesit e këtyre klubeve të jenë të matur për të bërë zgjedhjen e duhur. Tek Partizani janë disa emra që lakohen si pasues të Franco Lerdës.
Orges Shehi, Ilir Daja, por edhe Skënder Gega, janë në listë. Për dy takimet e radhës skuadra do të drejtohet nga Reinaldo Kalari që ishte zv/trajner i Lerdës, bashkë me drejtorin e akademisë, Genc Tomori.
Edhe Tirana do të vijojë me Emanuel Egbo i cili ka një pjesë të madhe të meritës së fitores në derbi. Nigeriani gjithsesi është shprehur se nuk ndihet i gatshëm të jetë trajner i parë.
Edhe tek bardheblutë dëshirohet Ilir Daja që duket se do të jetë trajner i lirë pasi tek Skënderbeu situata financiare nuk është mirë. Në tavolinën e Refik Halilit janë edhe Zekirija Ramadani dhe Gugash Magani. Për momentin, Luftëtari po drejtohet nga zv/trajneri Neritan Novi.
Shkarkimi i 3 trajnerëve njëherazi këtë fundjavë vendosi një rekord negativ për futbollin shqiptar, ku në 15 javë janë larguar nga detyra 9 drejtues ekipesh.
Tv Klan