Projektligji mbi pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë ka përfshirë në një luftë akuzash kryeministrin Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama.

Me një gjuhë të ashpër Rama e cilësoi një shfaqje të shëmtuar fjalën në kuvend të kryeministrit Berisha.

Edi Rama: “I dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën dhe për t’i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit, babait tim.”

Duke zgjedhur të mos e shndërrojë debatin mbi dosjet në një çështje personale Rama denoncoi atë që e cilësoi sjellje me dy standarde të kryeministrit Berisha.

Qëllimi final i kësaj politike, theksoi Rama, është sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë në mbrojtje të korrupsionit.

Edi Rama: “Sali Berishës duhet t’i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë sepse teksa fliste për plagët e komunizmit e kishte mendjen tek lulet e korrupsionit. Teksa ngrinte zërin për krimet politike të partisë së tij të vjetër e kishte hallin tek krimet ekonomike të qeverisë së tij të re. Duke abuzuar me viktimat e komunizmit për të mbrojtur të pandehurit e korrupsionit asnjë i përndjekur politik nuk ka marrë ende asnjë qindarkë nga kjo qeveri”.

Ky reagim vjen vetëm një ditë pasi kuvendi shtyu me të paktën një javë afatin për miratimin e projektligjit mbi dosjet.

Një ditë më parë nga selia rozë Rama i bëri apel Berishës për të gjetur konsensus mbi një draft të ri, i cili mbi të gjitha nuk shkel kushtetutën./tvklan.al