Edi Rama, ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, duke thënë se sipas tij, ai tregon dështim të procesit zgjedhor. Duke e lexuar atë ndryshe dhe nga vete përfaqësuesit e OSBE-së, Rama e shpërfilli thelbin e raportit dhe nuk pranoi faktin se vëzhguesit e OSBE-Odirit i vlerësuan zgjedhjet si plotësim të angazhimeve kryesore të OSBE.

Edi Rama: “Ne i konsiderojmë, bazuar pikërisht tek ky raport se gjendja e demokracisë në Shqipëri është kritike dhe se zgjedhjet e 28 qershorit nuk i përmbushën ato standarde për të cilat ne meritojmë. Ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Në përfundimet e ndjera nga vëzhguesit e OSBE-Odirit theksohet se nuk ka pasur prova apo evidenca për manipulim të zgjedhjeve, çfarë hedh poshtë pretendimet e Ramës që çuan dhe në bojkot të kuvendit, i pyetur nga TV Klan mbi këtë çështje Rama përgjigjet.

Edi Rama: “Në një proces zgjedhor i cili përveç tjerash ka përfunduar dhe me një rezultat shumë të ngushtë, numërimi i keq dhe shumë i keq i një tretës së votave nënkupton domosdoshmërish se minimalisht ka nevojë për transparencë, minimalisht ka nevojë për një evidentim të gjithëçkaje që gjendet e mbyllur në errësirën e kutive të dyshuara të një procesi të cenuar”.

I pyetur nga TV Klan nëse do t’i njohë zgjedhjet, pas njohjes që ju bënë atyre nga OSBE-Odiri, Rama nuk ka pranuar të përgjigjet. I sapo kthyer nga Brukseli Edi Rama, ka hedhur poshtë lajmin se komisioneri europian për zgjerim, Olli Rehn, nuk ka pranuar ta takojë.

Edi Rama: “Këto janë përralla që i shkruani dhe i lexoni sipas dëshirës dhe të cilat unë nuk i kontestoj”.

Kryetari në detyre i PS-së, ka lënë sërish pa përgjigje pyetjen që bëjnë të gjithë socialistët por dhe gjithë opinioni publik. Kur grupi parlamentar socialist do të ulet në sallën e kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka