Partia Socialiste ka zhvilluar në Voskopojë të Korçës konferencën rajonale për bujqësinë.
Ekspertë të kësaj fushe kanë dhënë mendimet e tyre se si mund të dilet nga kjo krizë, por duke nënvizuar se mungojnë teknologjitë dhe politikat e shtetit për këtë sektor. Kryesocialisti, Edi Rama premtoi se Partia Socialiste do ta ketë bujqësinë në qendër të politikave të saj.
Edi Rama: “Ne duhet të bëhemi forca që përçon tek njerëzit fuqinë e njerëzve në hall, në një hall të madh dhe të përbashkët, që është halli i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë dhe i të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që jetojnë sot në fshat dhe që pavarësisht se për kë votojnë njësoj nuk kanë rrugë për të dalë në treg, njësoj nuk kanë treg për të shitur ato pak prodhime që nxjerrin”.
Numri një i selisë rozë, Rama, u ka kërkuar pjesëmarrësve në këtë takim që të hedhin piketat e zhvillimit të bujqësisë në këtë rreth, të cilat do të kalojnë më pas në diskutimin final të kësaj force politike.
Edi Rama: “Është misioni ynë të bëjmë kthesën e madhe në Shqipëri dhe ky mision vlen energjinë, përpjekjen, sakrificat tona dhe mbi të gjitha ky mision kërkon që ne të sillemi si patriotë”.
Partia Socialiste po punon për hartimin e një programi, i cili do t`i japë një hov të ri bujqësisë dhe për këtë kërkohet bashkëpunimi i çdo fermeri shqiptar./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni/Drini Zeqo