Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Sot është zhvilluar  takimi përfundimtar i dialogut midis kryeministrit Ilir Meta dhe përfaqësisë së komunitetit teatror të artisteve. Ky takim u zhvillua pasi kryeministri Meta shqyrtoj dosjen e krijuar pranë Këshillit të Ministrave, me vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga artistët për projektligjin mbi teatrin. Në lidhje me takimin e sotën është prononcuar ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama.  

Edi Rama, ministër i Kulturës:- “Mendoj se mund të thuhet me plot gojën se  takimi i sotëm i kryeministrit me përfaqësinë e artistëve teatror, të interesuar për përmirësime në projektligjin mbi teatrin sjell një cilësi të re në komunikimin e qeverisë shqiptare me një komunitet të caktuar në funksion të një reforme. Mendoj që fal këtij dialogu kemi disa përmirësime të rëndësishme të cilat qetësojnë një pjesë të madhe të këtij komuniteti dhe saktësojnë përfundimisht mbrojtjen dhe garantimin e institucioneve kombëtare të sistemit tonë teatror, duke nxjerrë si institucion më vete me status kombëtar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore”.

Gazetarja:- Po kërkesës të artistëve për kthimin e tyre në punë, çmendim keni?

Edi Rama, ministër i Kulturës:- “Ky nuk ishte objekti i takimit të kryeministrit dhe nuk është objekt i punës së qeverisë apo të ministrisë të Kulturës, apo të kujdo individi sepse këtu kemi të bëjmë me një masë e cila është marrë bazuar mbi kodin e punës dhe të interesuarit mund ta kërkojnë atë që ata e quajnë të drejt të shkelur nëpërmjet instancave përkatëse siç është gjykata në tërë shkallët e saj”.

Ndërsa artistët pas takimit me kryeministrin nuk kanë dashur të prononcohen. Të enjten pritet që projektligji mbi teatrin hyj për miratim në parlament./tvklan.al