Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ishte në sheshin Skënderbej për të prezantuar fazën e dytë të projektit për rikonstruksionin e kësaj pjese të rëndësishme të Tiranës.
Zoti Rama doli në mbrojtje të projektit të bashkisë për sheshin, pasi sikundër tha ai do të jetë një projekt i shekullit të ri, aq edhe një garant i vlerave tradicionale të sheshit.
Fillimi i punimeve në këtë shesh ka prodhuar debat, shoqëruar me akuza për bashkinë, për mospasjen e një leje për zhvillimin e punimeve apo për mospërfshirjen e mendimit të qarqeve akademikë dhe ekspertëve në projektin për sheshin.
Pavarësisht kësaj, kryebashkiaku zgjodhi të mos polemizojë, duke theksuar përpara gazetarëve se për realizimin e këtij projekti, i nevojshëm është bashkëpunimi.
Edi Rama: “Unë nuk dua të hyj në asnjë polemikë, e kam thënë qysh në krye të herës dhe përsëris. Ky është një projekt madhështor, një projekt ambicioz, një projekt i ndërlikuar, është një projekt shumë qendror për kryeqytetin, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Tiranë apo nuk jetojnë në Tiranë, që jetojnë në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë dhe këtu duhet bashkërendimi i të gjitha forcave.”
Zoti Rama tha gjithashtu se ka një plan të bashkisë për të mos krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me policinë rrugore.
Edi Rama: “Ndryshimi i rrugëve të qarkullimit do të bëhet me faza, nuk do ketë një bllokim të menjëhershëm dhe tërësor të sheshit, sepse kjo do të dëmtonte seriozisht të gjithë vijueshmërinë e trafikut në Tiranë. Është një ndryshim që do të fazohet pjesë-pjesë në koordinim të plotë me policinë rrugore.”
Shënohen të paktën dy javë prej fillimit të punimeve në shesh. Së fundmi, polemikës bashki-qeveri u shtua dhe zëri i ish të përndjekurve politikë, të cilët kërkuan ngritjen e një obelisku kushtuar viktimave të komunizmit, pikërisht në vendin ku ndodhej busti i diktatorit Hoxha.
Projekti i bashkisë në këtë zonë të sheshit parashikon ngritjen e një godine shumëkatëshe, çfarë për ish të përndjekurit politik të regjimit është e papranueshme./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi