Holanda dhuron 3 milionë Euro

Në Mynih është mbajtur konferenca për Ballkanin Perëndimor me temë “perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe siguria rajonale”. Kryeministri Rama pati mundësinë të takohet me Kryeministrat e Kanadasë dhe Kuvajtit si dhe me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite. Ata kanë shprehur gatishmërinë për t’u bërë pjesë e konferencës së donatorëve për rindërtimin nga tërmeti që mbahet më 17 Shkurt në Bruksel.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau: Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim, Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari, të shpreh edhe njëherë ngushël​limet e mia për tërmetin e tmerrshëm për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit, në Shkurt. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision “Enhanced Forëard Presence” dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju, ndërsa ecim përpara.  

Kryeministri Edi Rama: Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj shumë takimin me ju në çdo rast. Ju e dini që keni një ndikim shumë të madh tek shumë nga homologët tuaj. Në të njëjtën kohë e dini që jeni edhe Kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Do të doja t’ju shpreh edhe mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni i pranishëm në konferencë. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet. E di që jemi larg, por në një farë mënyre ndihemi shumë të afërt me vendin tuaj dhe të gjithë ju. Prandaj faleminderit për kohën dhe faleminderit që u ulët nga ana e flamurit shqiptar.

Holanda ka vendosur  të dhurojë 3 milionë Euro për rindërtimin. Kjo është konfirmuar nga ministri i Jashtëm, Stef Blok. Nëpërmjet një video-mesazhi, ai thekson se ndihet i trishtuar për pasojat e tërmetit dhe thekson se Holanda do t’i qëndrojë pranë Shqipërisë.

Axhenda e bërë publike nga Komisioni Europian parashikon që konferenca e donatorëve, që do të mbahet të hënën në Bruksel, do të nisë me nënshkrimin e fondit prej 15 milionë Eurosh që Komsioni ka vendosur në dispozicion të Shqipërisë për të përballuar kostot e tërmetit të 26 Nëntorit.

Tv Klan