E ardhmja e Edon Zhegrovës do të jetë larg Lille. Këtë e ka konfirmuar sulmuesi i krahut për mediat kosovare, duke shtuar se fundi i sezonit do të jetë edhe ai i divorcit mes palëve.
Fakti që marrëveshja mes palëve skadon në verën e vitit të ardhshëm e bën akoma dhe më konkret shitjen e futbollistit nga ana e klubit francez. 23-vjeçari ka mrekulluar me performancat e tij në fushën e lojës, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve.
Napoli gjendet prej kohësh në gjurmët e ish-lojtarit të Baselit, të cilin e shikon edhe si pasues të Kvaratshklevia. Për kartonin e futbollistit të Përfaqësueses kosovare, Lille synon të paktën 35 milionë Euro, shifër që ka stepur deri diku edhe drejtuesit e klubit italian.
Por, mos-rinovimi dhe kohëzgjatja e shkurtër e marrëveshjes mund të ndikojë edhe në uljen e çmimit të kartonit të futbollistit.
Zhegrova është mes lojtarëve më driblues në pesë kampionatet kryesore të Europës për moshën mbi 23-vjeç.
Sulmuesi anësor i Lille ka përfunduar me sukses tentativat, me një efikasitet prej mbi 61.36%. Zhegrova i kushtoi Lille 7 milionë Euro nga radhët e Bazelit. Prej gjysmës së dytë të sezonit 2021-2022, ai ka shënuar 26 herë, për t’u shndërruar në tepër kyç për ecurinë e klubit francez në edicionet e fundit.
Klan News