Merkato e Napolit është e lidhur ngushtë me të ardhmen e Kvaratshvelia. Gjeorgjiani ka kërkuar largimin nga skuadra dy vite e gjysmë para fundit të kontratës. 23-vjeçari ka arritur akordin për të kaluar në radhët e PSG-së, me francezët që kanë gati ofertën prej 75 milionë Eurove.

Gjiganti francez i ka propozuar një kontratë pesëvjeçare ku do përfitojë 8 milionë Euro në vit dhe shpërblime. Si Napoli ashtu edhe kampionët e Francës duan të përshpejtojnë procesin për të zhvendosur më pas vëmendjen e italianëve tek pasuesi i tij.

Emri më i nxehtë mbetet ai i 21-vjeçarit, Alejandro Garnacho, për të cilin Manchester United kërkon 45 milionë Euro. Ndërkaq, në orët e fundit përflitet për një akord të Napolit me Edon Zhegrovën. 25-vjeçari konsiderohet si ideal për të plotësuar boshllëkun që do linte gjeorgjiani në skuadër.

Lille kërkon të paktën 35 milionë Euro për kartonin e futbollistit shqiptar, ofensivë që sipas gjasave do të konkretizohej vetëm në merkaton e verës. Francezët nuk janë të gatshëm për të hequr dorë menjëherë nga Zhegrova, pasi besojnë tek cilësitë e lojtarin që aktivizohet me përfaqësuesen e Kosovës.

Kushtet personale me Zhegrovën besohet të mos jenë aspak problem, me 25-vjeçarin që kërkon të jetë prej kohësh pjesë e një prej skuadrave më të mira Europiane.

Klan News