“Dëshmitarët më shkuajnë me adresa false, shkruajnë se e kishin detyruar të ju paguante birrat dhe e tallnin”, kështu ka deklaruar motra e Egli Progrës, Jonida Proga në një rrëfim prekës.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Proga ka thënë se dëshmitarët që kanë parë ngjarjen se si vdiq i vëllai kanë shumë informacione, por sipas saj, kanë frikë që t’i japin.

Jonida Proga ka bindjen se i vëllai i saj është masakruar brenda lokalit ku ka ndodhur ngjarja dhe më pas është hedhur përjashta.

Jonida Proga: Dëshmitarët shkruajnë me adresa fallso, që thonë se “dëgjuam të sharat dhe të bërtiturat”. Shkruajnë që “e kishin detyruar të ju paguanin birrat dhe e tallnin me 20 mijë Lekshin që e kishin nxjerrë për të paguar birrat”. Ja kërkuan autorët. Kanë të gjithë më shumë informacion dhe janë të gjithë që nuk dalin. Edhe dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen nuk duan të dëshmojnë, por mua më shkruajnë me adresa fallso. Kanë shumë frikë nga këto persona.

Blendi Fevziu: A keni takuar ndonjë dëshmitar të ngjarjes?

Jonida Proga: Këtë e kam bërë kur kam ndaluar në dyqane duke kërkuar dëshmitarë. Njerëzit që kanë pranuar që “hyri, e pamë, e thirri”, i kam çuar me pahir në prokurori. E dinin panoramën dhe i bënin përgjysëm nga frika. Një nga personat që pyeta dhe më tha se “Egli u fut brenda”, është emër që çova.

Kishte mbyllur lokalin dhe po vinte për në shtëpi. Është një vend kontigjentësh, është një zonë e mbipopulluar pastaj kemi këtë kontigjentin që njihet nga policia e Pogradecit. Egli ka hyrë vetëm aty. Personat që kanë qenë brenda, kanë qenë në tavolinë.

Me personin që është arrestuar nuk mund të jenë miq ata të dy. Vëllai futet brenda, masakrohet brenda. Ai është goditur brenda e jashtë dhe është hedhur përjashta. Dëshmitarët që japin versionet janë dëshmitë e vrasësve dhe bashkëautorët e tyre që janë mundur t’i mbulojnë bashkë me komisariatin e Pogradecit.


/tvklan.al