Lajme Arkiva – TV Kaln 20024

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, hedh poshtë vendimin e datës 26 Prill 1996, të komisionit shtetëror për kontrollin e figurës së zyrtarëve e publikuar në gazetën “Zëri i Popullit”, disa ditë më parë, se Spahia nuk mund të kandidonte për deputetë, se rezultonte si informator i Sigurimit të Shtetit.

Me këto dy dokumente zyrtare, Spahia vërteton, se nuk ka qenë pjesë e Shërbimit Sekret në atë kohë. Njëri nga dokumentet i jep të drejtë Spahisë të kandidojë si deputet dhe tjetri, të bëhet kryetar i PLL. Sulmet e gazetës “Zëri i Popullit”, sipas Spahisë, kanë nisur që në vitin 1994.

Ekrem Spahia: “Është lufta që më bëhet mua si nacionalist dhe përfaqësues i një partie nacionaliste, sepse këto i vazhdojnë në mentalitetin e tyre, duke na quajtur ne legalistëve si armiq dhe jo si kundërshtar politik. Si komisioni Mezini, ashtu edhe komisioni Bezhani, më kanë konfirmuar dhe mbi bazën e vërtetimeve dhe vendimeve të tyre, unë kam kandiduar për deputet dhe kam kandiduar për kryetar të PLL. Pra kjo është në vazhdën e sulmeve që më bëhet mua personalisht dhe partisë që përfaqësojë, që është një parti nacionaliste dhe anti-komuniste”.

Pastërtia e figurës së Spahisë u rikonfirmua një vit më vonë nga një vendim i lëshuar nga Hajri Mezini, kryetar i komisionit për kontrollin e zyrtarëve të lartë, i cili i hapi rrugë legalistit Spahia të kandidojë si për deputet, ashtu dhe për kryetar partie./tvklan.al