Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Faqet e internetit ishin të vetmet që shpalosnin në publik strategjinë dhe platformën e Armatës Kombëtare Shqiptare. Thuhej se aksionet e ndërmarra nga kjo armatë ishin vepra terroriste. Vështirësi të mëdha për të rënë në kontakt me drejtuesit e këtij formacioni ushtarak në terren, duke pasur gjithmonë ndërmend pyetjen, a ekziston në të vërtetë AKSH?

Për më shumë se 1800 km rrugë në 4 ditë, pasi kaluam nëpër fushën e Tetovës, Shkup, Grykën e Kaçanikut drejt Prishtinës, shkuam në lindje të Kosovës në Luginën e Preshevës. Fillimisht pranë Muçi Babës, zonë kufitare me Serbinë kishte drojë nga pjesëtarët e armatës për të dalë para kamerës sonë. Një organizim i menjëhershëm i njësitit që vepronte në atë zonë, mundësoi hartimin e planeve tona të para për bisedat ekskluzive. Por grumbullimi në afërsi të Muçi Babës, të dhjetëra anëtarëve të AKSH, u pasua me lëvizje e kontrolle të shumta në zonë, sidomos të trupave të KFOR-it dhe policisë së UMNIK-ut, duke na hequr mundësinë e xhirimit dhe duke ndryshuar planin për biseda në një zonë tjetër kufitare me njerëzit e armatës.

Kishim arritur më parë që në Gostivar dhe Tetovë, të binim në kontakt telefonik me drejtuesit e armatës, përfundimisht në Prishtinë arritëm mirëkuptimin për të realizuar intervistat në lindje të Kosovës. Ndërlidhja ishte ndër sektorët më në veprim të armatës, e cila na mundësoi takimin me njerëzit e ushtrisë së re shqiptare në Ballkan. Ku gjenden ata dhe ku vepron armata?

Kjo është rruga kryesore që lidh Prishtinën me Gjilanin dhe Dardanën, ish-Kamenica dhe që shkon drejt Luginës së Preshevës në Bujanovc, zona neutrale me territorin shqiptar në Serbi, një rajon me veprime të shumta luftarake gjatë viteve të fundit.

Po çfarë është AKSH, sa fuqi ka ajo, si organizohet, apo është thjeshtë fantazi? Takimi dhe bisedat paraprake linin përshtypjen se njerëzit e armatosur e të heshtur ishin të rezervuar për t’u hapur. Urdhrat që kishin marrë nuk u lejonin intervista dhe shpjegime, për shkak të ndryshimit të strategjisë, e cila pritej të shpallej nga shtabi suprem. Pas shumë orësh pranoi të fliste komandanti i njësitit elitë pranë shtabit suprem komandant Anakonda.

Gazetari:- Anakonda, çfarë synimesh ka Armata Kombëtare Shqiptare? A besoni se me forcat që ka aktualisht, do të jetë e zonja për t’ia dalë mbanë synimit që ka për bashkimin e trojeve shqiptare?

Komandant Anakonda:- “AKSH edhe më tutje në vazhdimësi është në projektin e saj, për shtrirjen në të gjithë hapësirat e Shqipërisë etnike, se sa është e zonja ne ende nuk kemi filluar një luftë frontale. Deri më tani, strategjia jonë, kanë qenë sulmet guerile, taktike, që përmbajnë në vete strategji ushtarake. E dimë që jo vetëm opinioni shqiptar, jo vetëm mediat, por i gjithë edhe opinioni i huaj ka qenë i interesuar të dijë më shumë për AKSH. Shpesh herë ka pasur polemika a eksiton ajo në të vërtetë apo jo, duke qenë që edhe aktualisht veprojmë në ilegalitet, por siç edhe kemi dëgjuar dhe kemi parë më parë, ka marrë pjesë në disa sulme në kufirin me Serbinë, me pjesën shqiptare në Maqedoni dhe të gjitha kontaktet që njerëzit kanë mundur të kenë me njerëzit e AKSH, kanë qenë ato përmes internetit dhe tani është rasti i parë që TV Klan nga Tirana, i japim një intervistë, apo përgjigje të drejtpërdrejtë”.

Gazetari:- Kemi dashur disa herë të kontaktojmë me pjesëtarët e njësitit tuaj Anakonda dhe ju thoni, se ata janë në territorin e Serbisë.

Komandant Anakonda:- “Kjo është e vërtetë, ne vëzhguam gjatë ditës, ishim edhe përreth kufirit dhe ju patë nga afër që pjesëtarët tanë janë kudo, janë në shumë zona dhe kanë detyrat e veta të caktuara nga shtabi i përgjithshëm i AKSH. AKSH ekziston në fakt, fatmirësisht kohëve të fundit kemi arritur të bashkojmë të dy krahët, që në fakt kanë qenë një dhe më parë dhe nuk ka dy AKSH”.

Gazetari:- Megjithatë, politikanët shqiptarë, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në trevat shqiptare nuk japin një mbështetje, nuk e njohin AKSH. A u rëndon ky fakt?

Komandant Anakonda:- “Duke pasur parasysh pozitën që ndodhemi tani, që jemi të përndjekur nga policia e UMNIK-ut, nga policia shqiptare në Shqipëri, nga policia maqedonase, nga policia serbe, pra janë disa ushtri me të cilat ne përballemi apo kemi pengesa. Ata në fakt kanë të drejtë të dyshojnë mbi

ekzistencën tonë, duke pasur parasysh që ne veprojmë si një armatë me një taktikë guerile aktualisht, por aksionet tona që janë bërë, disa aksione me radhë, lënë të kuptojnë se AKSH ekziston. Disa dëshmorë që kanë rënë në detyrë të kësaj armate lënë të kuptojnë se ata nuk kanë rënë duke punuar në internet, por kanë rënë në aksione shumë të rëndësishme për AKSH dhe kombin shqiptar”.

Gazetari:- Shpesh herë më thoni, aksione guerile, së fundi përmendët edhe dëshmorë. Ku janë bërë këto aksione guerile?

Komandant Anakonda:- “Një aksion që është përfolur shumë dhe ka bërë shumë jehonë është aksioni tek ura e Zveçanit, ku dy pjesëtar të AKSH hodhën në erë atë urë, e cila u vlerësua si akt terrorist, por ne dhamë shpjegimet se çdo armatë në botë kompaninë e xhenios, e cila është e angazhuar të bëjë stacionimin e trupave të veta, të bëjë shkëputjet e lidhjeve të armikut dhe kjo kompani pikërisht gjeti si urë strategjike një urë që lidhte pjesën veriore të Kosovës, të enklavizuar nga serbët dhe deshëm t’i shkëpusim këtë lidhje hekurudhore, që u shërbente serbëve të Serbisë dhe kriminelëve që gjenin strehë në veriun e Kosovës …”/tvklan.al

Gazetar – Denion Ndrenika