Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy të pandehurit e akuzuar si pjesëmarrës të Armatës Kombëtare Shqiptare, mund të përfitojnë uljen e dënimit nga gjykata e Tiranës, pasi pranuan gjykim të shkurtuar. Gafurr Adili dhe Taip Mustafaji i njohur në sallën e gjyqit, me kërkesën në gjykim të përfaqësuesit të akuzës, i cili përmendi se të dy ata kanë nxitur tensione në Maqedoni, përfshirë edhe vendosjen e një bombe pak ditë më parë në një qytet të këtij vendi, duke nxitur në këtë mënyrë urrejtjen kombëtare.

Ndërsa nesër prokuroria do të shprehet për konkluzionet përfundimtare për të pandehurit Adili dhe Mustafai, i pandehuri tjetër që gjykohet për të njëjtën çështje por në mungesë Idajet Beqiri, do t’i nënshtrohet gjykimit i veçuar nga këta dy persona. Beqiri nuk mund të përfitojë gjykimin e shkurtuar, pasi ai i është shmangur këtij të fundit dhe aktualisht është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Tiranës, pritet të japë shumë shpejt vendimin për Taip Mustafajin dhe Gafurr Adilin, të cilët e kanë pranuar sot akuzën e ngritur nga prokuroria shqiptare./tvklan.al