Një ditë pas publikimit të progres-raportit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ana e Komisionit Evropian, ekspertët në institucionin kërkimor Këshilli Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare me seli në Londër, vlerëson se blloku 27 anëtarësh nuk është i besueshëm përsa i përket procesit të zgjerimit dhe nuk po bën mjaftueshëm për të inkurajuar vendet e Ballkanit.
Në një intervistë për BBC-në në shqip studiuesja Vesela Çërneva, argumenton se ndërsa Komisioni Evropian thotë se vendet e Ballkanit perëndimor nuk po bëjnë sa duhet dhe nuk po reformohen sa duhet për të përmbushur kriteret, në këto vende ekziston ideja se zgjerimi nuk po merret seriozisht nga Bashkimi Evropian.
Sipas saj pavarësisht punës së bërë, Ballkani është në vendnumëro sepse Brukseli jo vetëm që nuk është bindës në ofertën e tij, por po e tejzgjat këtë proces duke mos dhënë një motiv të vërtetë reformimi.
Kjo sipas analistes do t’i lërë BE-së një faturë për të paguar, për rreziqet e sigurisë në rajon dhe dështimin politik në procesin e zgjerimit.
Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave që për Shqipërinë mund të propozohet nga mesi i vitit 2010, Cërneva vlerëson se progres raportet vjetore nuk e motivojnë Ballkanin për të arritur më shumë.
BE ka probleme organizimi dhe vetëm kur t’i zgjidhë ato zgjerimi do të kthehet në agjendën e tij./tvklan.al