Erisa Zykaj: “Bashkimi Evropian do ta detyrojë Greqinë që të marrë masa shtesë financiare nëse brenda një muaji Greqia nuk tregon, qe mund të ulë deficitin buxhetor në mënyrë të konsiderueshme. Për momentin, Ministri grek i Financave ka thënë, se nuk është koha për këto masa shtesë, ndërkohë që Brukseli është i shqetësuar, pasi jo vetëm Greqia por edhe Portugalia dhe Spanja ka një deficit buxhetor me më shumë se 3%. Për Brukselin, zona euro për momentin duhet kontrolluar rreptësishtë”.
Elena Salgado: “Këshilli i BE-së ka vendosur për herë të parë të aplikojë rekomandimet që lidhen me nenin 121.4 të traktatit. Ky nen i referohet rastit kur një shtet anëtar mund të vërë në rrezik bashkimin ekonomik dhe financiar. Si rrjedhim, Komisioni Evropian bën vërejtjen dhe Këshilli i Ministrave bën rekomandime, të cilat bëhen publike.”
Olli Rehn: “Komisioni Evropian do të jetë prezent në terren në Athinë këtë javë ose javën tjetër së bashku me përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurostat për të verifikuar zbatimin e masave dhe rezultatet për të cilat autoritetet greke janë angazhuar të marrin në kuadrin e programit të stabilitetit të shprehur nga kryeministri Papandreu.”
Jean-Claude Juncker: “Ne kemi vëzhguar ecurinë ekonomike të brishtë dhe të moderuar në fundin e vitit 2009 me rezultate shumë pak entuziaste, ku rritja ekonomike ishte më e ulët sesa ajo që kishim menduar, por vazhdojmë të besojmë, se do të ketë rritje ekonomike rreth 1% gjatë vitit 2010.
Erisa Zykaj: “Euroklan ju ofron si gjithmonë mendimin e gazetarëve. Sot kemi ftuar një gazetar grek Nikolaos Bellos, i cili do të na flasë për masat që mund të marrë Greqia brenda një muaji dhe përmasat e mëtejshme:
Erisa Zykaj: “Jemi shumë kuriozë të dimë, se çdo ndodhë gjatë këtij muaji në Greqi, pasi ne e dimë tashmë që Athina do të kontrollohet vazhdimisht hap pas hapi për të evituar që ajo të mos dalë nga shinat.”
Nikolas Bellos: “Që prej takimit të ministrave evropianë të ekonomisë dhe financave, Greqia është futur nën kontroll të rreptë. Kjo do të thotë që Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Eurostat do të kontrollojnë çdo muaj ekonominë greke. Pra, do të ketë një ekip funksionarësh që do të shkojë çdo muaj në Greqi për të kontrolluar kontot publike të Greqisë dhe për të parë nëse ajo në rrugën e duhur dhe nëse masat e Këshillit të Ministrave po zbatohen siç duhet.”
Erisa Zykaj: “Ne dëgjuam ministrin grek të financave , që refuzoi marrjen e masave të mëtejshme për situatën ekonomike. Pse? Ka frikë që vendi mund të shkojë drejt një kolapsi?”
Nikolas Bellos: “Për ministrin grek do të ishte shumë e vështirë të kthehej në Greqi dhe t’i kërkonte kryeministrit Papandreu masa shtesë. U bënë vetëm 10 ditë që nga momenti kur Papandreu u angazhua për marrjen e masave ekonomike në vend. Për popullin grek dhe taksapaguesit grekë, do të jetë e pakuptueshme që 10 ditë më pas, Ministri i Financave të vijë e të kërkojë masa shtesë. Ai tha, që le të presim të shohim rezultatet e masave në paktin e stabilitetit. Nëse ne dalim nga shinat, atëherë sigurisht do marrim masa shtesë”.
Erisa Zykaj: “Në terma konkretë, kjo do të thotë që qytetarët grekë duhet të kuptojnë, se është koha që të përmbushin detyrimet e tyre si qytetarë, që do të thotë pagesa e taksave dhe detyrimet e tjera shtetërore?”
Nikolas Bellos: “Për mua kjo do të thotë, që është rasti për Greqinë që të kryejë reformat që ajo nuk ka kryer që prej 30 vjetësh, pasi qeveritë përkujdeseshin vetëm për puçet politike, pra asnjë masë të marrë. Gjithçka që Bashkimi Evropian i kërkon Greqisë tani, është ajo që vendi duhet të bënte 30 vjet apo 20 vjet përpara. Asgjë nuk është bërë për këtë. Ka një pjesë të të punësuarve në Greqi që paguajnë taksat, por profesionet liberale, avokatët apo doktorët etj deklarojnë një minimum të fitimeve. S’është e mundur të vazhdohet kështu. Nuk duhet të paguajnë vetëm nëpunësit. Të gjithë duhet të paguajnë”.
Erisa Zykaj: “Moment tjetër i rëndësishëm i javës ka qenë edhe zgjidhja e ngërçit të dialogut politik në Shqipëri. Komisioneri për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, Stefan Füle është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, në Zagreb ku ka biseduar për zgjidhjet e mundshme që ekzistojnë lidhur me dialogun politik në vend dhe ka shprehur dëshirën që të vizitojë sa më shpejtë Tiranën. Gjithashtu Tiranën do ta vizitojë dhe një grup i Këshillit të Evropës. Qëllimi është i përbashkët: Duhet të zgjidhet sa më shpejt ngërçi politik brenda Marsit”.
Angela Filote: “Ne i mirëpresim këto zhvillime dhe do të jemi të kënaqur, nëse do të ketë progres në dialogun politik, që t’i mundësojë vendit që të fokusohet në reformat e brendshme, të cilat janë shumë të nevojshme edhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Komisioneri Füle po ndjek shumë nga afër zhvillimet. Çdo ditë ne po shohim, se cilat janë ato, duke shpresuar që këto zhvillime të jenë inkurajuese. Presim të dimë, se kur komisioneri mund të vizitojë Shqipërinë për të patur një diskutim më të gjerë me të gjithë faktorët dhe aktorët më të rëndësishëm të përfshirë në këtë proces. Komisioneri Füle e ka planifikuar vizitën në Shqipëri në një nga vizitat që ai do të kryejë në një kohë shumë të shkurtër, pasi Shqipëria bën pjesë tek vendet e rëndësishme të portofolios që ai mbulon. Kështu që sapo të fiksohet një datë me presidentin, ai do të jetë i gëzuar që të vizitojë Shqipërinë”.
Presidenca spanjolle ka bërë të ditur që liberalizimi i vizave afatshkurtra me Bosnjën dhe Shqipërinë do të vendoset në rendin e ditës së këshillit të ministrave në Maj.
Ndërkohë gjatë vizitës së Catherine Ashton në Bosnjë është konfirmuar se nuk ka më kushte shtesë për t’u plotësuar në këtë drejtim:
Nikola Spiric: “Unë mund t’ju them, se pas vizitës së tretë të grupit të ekspertëve të Brukselit, qytetarët e Bosnjës do të jenë së shpejti në listën e bardhë Shengen. Gjithashtu, është konfirmuar, se nuk do të ketë më kushte shtesë për liberalizimin e vizave afatshkurtra”.
Catherine Ashton: “Unë konfirmova progresin për vizat dhe gjithashtu dhashë mesazhin që e ardhmja e këtij vendi është në BE. Ka shumë për të bërë dhe ne mund të ndihmojmë shumë në këtë drejtim, duke punuar bashkë si parterë për të ardhmen. Unë jam shumë e angazhuar për të arritur qëllimin final”.
Catherine Ashton ka vizituar edhe Kosovën që ka përpara sfida të rëndësishme për të kryer, por që nuk është izoluar nga procesi i liberalizimit të vizave:
Catherine Ashton: “Ne njohim progresin që është bërë nga Kosova në kuadrin e liberalizimit të vizave. Do të ketë një grup ekspertësh që do vijnë brenda disa javësh të bëjnë vlerësimin e ecurisë në këtë drejtim”.
Hashim Thaçi: “Ne shprehëm përkushtimin tonë të plotë si qeveri e Kosovës për implementimin e plotë të kritereve demokratike të domosdoshme në procesin të paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne do t’i plotësojmë të gjitha kriteret e nevojshme.”
Catherine Ashton: “Ka një sfidë të madhe në Kosovë dhe kryeministri Hashim Thaçi është i pari që e njeh se vendi përballet me një sfidë të madhe. Përshtypja që kam unë në këtë diskutim dhe me kolegët e mi të EULEKS është që puna po shkon mirë, ka shumë për të bërë, por është bërë progres.”
Erisa Zykaj: “Shumë qytetarë të Ballkanit ankohen, se shpesh ju refuzohet viza për të qarkulluar në zonën Shengen. Këtë radhë nuk janë qytetarët e Ballkanit, por janë vetë shtetasit e BE-së, të cilëve ju është refuzuar e drejta për të qarkulluar në një vend. Është Libia me të njohurin Kadafi që i ka refuzuar qytetarëve të zonës Shengen që të marrin viza për në Libi, kjo pasi Libia është e nervozuar me Zvicrën”.
Michele Cercone: “Libia ka pezulluar dhënien e vizave qytetarëve evropianë të zonës Shengen. Kjo është çështja me të cilën përballemi dhe për të cilën duam të gjejmë një zgjidhje me përpjekjet diplomatike”./tvklan.al
Gazetare: Erisa Zykaj