Ndryshimet klimaterike, katastrofat natyrore, tërmetet, përmbytjet dhe zjarret kanë bërë që ministria e brendshme shqiptare dhe qeveria e Kroacisë të nënshkruajnë të parën marrëveshje bashkëpunimi.
Pas nënshkrimit ministri Basha deklaroi se gjatë takimit u fol për ngritjen e një Qendre Rajonale të Zjarrfikësve në Kroaci, e cila do t`i shërbente përballjes me më efikasitet të zjarreve që kërcënojnë territorin e vendeve të rajonit, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
Lulzim Basha: “Dy vendet tona janë gjetur krah njëri-tjetrit në situata të ndryshme gjatë dekadave që shkuan. Natyrisht me paqësimin dhe stabilizimin e rajonit e Ballkanit Perëndimor për fat të mirë situatat dhe konfliktet e armatosur nuk vërehen më, por kemi një shtim të situatave të emergjencave civile. Në këtë kontekst të shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Brendshme për iniciativën kroate, për krijimin në Kroaci të një qendre rajonale për përballimin e fatkeqësive natyrore kryesisht të zjarreve në pyje.”
Durda Adesic: “Natyrisht neve na vjen mirë qëkemi pasur mundësi ti ndihmojmë miqtë kur kanë nevojë dhe të kundërtën kur kemi ne nevojë të na ndihmojnë miqtë. E sidomos e përshëndesim këtë përkrahje për qendrën rajonale që do të formohet dhe eventualisht do të veprojë në rajon. Modeli ynë i drejtorisë së mbrojtjes dhe shpëtimit është i vlerësuar nga qytetarët tonë si një model shumë i mirë, kështu që kemi edhe një arsye shtesë t’iu ndihmojmë edhe juve në këtë drejtim.”
Zëvendës kryeministrja e Kroacisë, është takuar po ashtu edhe me homologun e saj shqiptar, zv/kryeministrin dhe Ministrin i Punëve të Jashtme, Ilir Metën, i cili ndau vlerësimin dhe nivelin shumë të mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në qendër të takimit ishte bashkëpunimi në kuadër të procesit integrues të vendeve drejt anëtarësimit në BE, pavarësisht shkallës së arritjeve të secilit vend, si dhe liberalizimit të vizave./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani