Sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria, sa i përket periudhës 29 Nëntor-11 Dhjetor 2024.

Ndërsa ditën e djeshme u asgjësuan sasi të mëdha mandarinash. Përveç sigurisë ndaj konsumatorëve për këto produkte, një pyetje tjetër që shtrohet është se sa ndikon kjo në eksportet e vendit tonë për tregjet e vendeve të Bashkimit Europian.

I ftuar në “Aldo Morning Show”, eksperti i AKU-së, Martin Jorgaqi, pohoni se normalisht do të ketë një ndikim në eksportet e Shqipërisë dhe se ky rast duhet të shërbejnë si një pikë ndërgjegjësimi për institucionet dhe fermerët.

“Absolutisht. Ky do të shërbejë si një alert dhe si një ndërgjegjësim dhe sensibilizim shumë i mirë qoftë për fermerët të cilët përdorim produktet e tyre për eksporte jashtë shtetit në përdorimin e pesticideve të nitrateve dhe gjithë problematikave që ata kanë me kultivimin e bimëve, por dhe gjithashtu dhe të institucioneve. Shqipëria ka pasur një rritje të fortë të eksporteve të fruta-perimeve si në vendet e rajonit ashtu dhe në vendet e Bashkimit Europian. Është e pranueshme statistikisht që me rritjen e eksporteve të ketë dhe rritje të problematikave. Unë garantoj që të gjitha strukturat të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve janë në funksion të plotë dhe kanë intensifikuar gjithë kontrollet zyrtare,” tha eksperti.

Nga ana tjetër ai sqaroi gjithë publikun, duke thënë se mandarinat, por dhe frutat e tjera që qarkullojnë aktualisht në tregun shqiptar janë të sigurta për konsumatorët.

“Mandarinat janë të sigurta, mollët janë të sigurta, të gjitha produktet shqiptare janë të sigurta në aspektin e kontrollit shqiptar, respektimit të gjithë bazës ligjore që ne kemi në dispozicion. Këto janë problematika që janë në zhvillim me produktin, janë në zhvillim me industrinë dhe nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por ndodhin në të gjithë botën”, përfundoi Martin Jorgaqi./tvklan.al