Biznesmeni Kosta Trebicka ka vdekur nga një aksident rrugor. TV Klan siguron ekskluzivisht dokumentin e akt-ekspertimit që kreu amerikani, Kevin Teter, oficer i lartë i policisë së shtetit në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili u ftua nga prokurorja shqiptare për të dhënë verdiktin për këtë aksident që ndodhi më 12 Shtator të 2008-tës në fshatin Lekas të Korçës.

Në këtë dokument cilësohet se pas këtij ekzaminimi të të gjitha evidencave që u paraqitën apo u ekzaminuan nga vetë eksperti amerikan opinioni i tij është se: Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Duke dalë në një kthesë në të majtë shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe kalimit të peshës, thekson në raportin e tij Teter, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e hapur e tavanit.

Ndërkohë, vijon raporti i ekspertit amerikan, automjeti u rrotullua në tavanin e tij, u rrotullua mbi shoferin dhe eventualisht u kthye mbi rrota pingul në rrugë.

Si rezultat i pjerrësirës së rrugës për poshtë në drejtim të lindjes automjeti eci mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë deri nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit.

Dokumenti është firmosur nga eksperti Teter më 23 Shtator në prani të një noteri./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani