Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në një magazinë në Shkafanë të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës dhe mësohet se fatmirësisht ka vetëm dëme materiale.
“Menjëherë pas njoftimit , rreth orës 23:45, të datës 14.05.2024, se në magazinën në pronësi të shtetasit L. M., 50 vjeç, në fshatin Shkafane, kishte ndodhur një shpërthim (me pasojë vetëm dëme materiale), shërbimet e Postës së Policisë Manzë kanë shkuar në vendngjarje”, njoftoi policia.
Si pasojë e hetimeve është mundur të identifikohet autori i dyshuar i kësaj ngjarje. Bëhet fjalë për një 24-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është identifikuar autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në fshatin Rrotull. Vijojnë kërkimet për kapjen e tij, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për të provuar ligjërisht rrethanat e këtij rasti”, njoftuan uniformat blu./tvklan.al