Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Kreshnik Budlla (Farruku) dhe ndaj Julian Kollçaku dhe Maksim Ndoci. Budlla u arrestua të premten, ndërsa ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për qëllime ekstradimi drejt Italisë ndërsa dy të tjerët janë arrestuar në Nëntor 2024.

Ata akuzohen për “trafik ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Gjatë seancës gjyqësore Kreshnik Budlla mohoi akuzat duke deklaruar  se nuk është ai që pretendon prokuroria e posaçme.

51-vjeçari u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit javës së shkuar. Disa kohë më parë autoritetet tona zhvilluan një operacion duke kontrolluar banesën e Kreshnik Farrukut dhe objekte të tjera për llogari të Prokurorisë së Breshias.

Gjatë asaj Farruku nuk u gjend, por u sekuestrua celularin e tij që u gjet i hapur dhe më pas iu nënshtrua një ekspertimi. Autoritetet italiane pretendojnë se Kreshnik Farruku pastronte para përmes një rrjeti kompanish të drejtuara nga një organizatë Italo-kineze.

Sipas Prokurorisë së Breshias, këto kompani kanë lëshuar fatura fiktive dhe kanë arritur që të pastrojnë rreth 375 milionë Euro. Kreshnik Farruku dyshohet për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Emri i Kreshnik Farrukut është përmendur prej vitesh nga drejtësia e Spanjës dhe Italisë për shkak të dyshimeve se ishte i përfshirë në trafik droge. Për herë të parë emri i tij është përmendur në vitin 2010 nga drejtësia spanjolle.

Në atë kohë ai u arrestua në Spanjë me 20 kg kokainë. 4 vite më vonë në vitin 2014, Kreshnik Farruku është arratisur nga burgu në Spanjë për tu ri-arrestuar në vitin 2019.