Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në takim Ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm dhe Ambasadori vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit historik të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe me ambasadën e Turqisë në Tiranë, si dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Drejtor Proda ka shprehur falënderim, në veçanti, për bashkëpunimin me homologët turq, për kapjen në Turqi, të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi, dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/01/WhatsApp-Image-2025-01-09-at-16.14.21-1-1024x689.jpeg)
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falenderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”, u shpreh drejtori Ilir Proda. .
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe Policisë së Shtetit shqiptar dhe garantoi Drejtor Prodën se ambasada e Turqisë në Tiranë është e angazhuar maksimalisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Policia turke./tvklan.al
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/01/WhatsApp-Image-2025-01-09-at-16.14.21-2-1024x648.jpeg)