Brenda Dhjetorit 2010 zyra e ALUIZN-it në Elbasan, do të përfundojë depozitimin e dokumentacionit të legalizimeve për 18760 ndërtime pa leje në shkallë qarku.

Përdorimi i letrave me vlerë në tregun e legalizimeve ka patur efekt mjaft të madh tek pronarët.

Sipas drejtuesve të ALUIZN-it në Elbasan, deri në fund të vitit 2010 i gjithë dokumentacioni do të depozitohet në hipotekë në formën e pasurive të paluajtshme, edhe për ata qytetarë që nuk do të paguajnë taksën e parashikuar në ligj. Ato do të njihen prona të qytetarëve vetëm atëherë kur  të paguajnë vlerën e truallit dhe taksën e infrastrukturës.

Ditor Musai: “Është menduar nga specialistë që kanë hartuar projektligjin, i cili shumë shpejt do të kalojë në parlament që këto dosje pasi të certifikohen nga drejtoria qendrore me leje legalizimi do të bëhen pjesë integrale e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga zyrat vendore dhe në momentin që qytetari paguan faturën financiare të vlerës së truallit dhe taksën e ndikimin në infrastrukturë, menjëherë zyra e regjistrimit të pasurive i jep në dorë certifikatën e pasurisë.”

Efekt mjaft të madh në këtë proces ka patur vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë.

Drejtori Musai pohon se futja e tyre në tregun e legalizimeve është shoqëruar me një bum të vërtetë në tregun e këmbimit.

Me anë të letrave me vlerë qytetarët mund të paguajnë deri në 80% të vlerës së truallit dhe vetëm 20% me para në dorë.

Ditor Musai: “Do të jetë një përfitim jashtëzakonisht i madh. Bankat e të gjithë niveleve, sidomos bankat që ne operojmë do të pranojnë pagesën e truallit me këto letra me vlerë, pastaj marrëdhëniet financiare i rregullon shteti.”

Deri tani në Elbasan janë shpërndarë 250 leje legalizimi dhe në proces përpunimi janë 2500 dosje të tjera./tvklan.al