Lame: Sfidë mbetet regjistrimi i tokave bujqësore
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Erion Veliaj, së bashku me kreun e Kadastrës, Artan Lame ishin në Helmës të Kavajës ku morën pjesë në shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për objektet e legalizuara. Veliaj nënvizoi se ndryshe nga më parë, sot prioritet për legalizim kanë familjarët dhe hallexhinjtë që nuk kanë mundur të sigurojnë një leje për shtëpitë e tyre.
“Në morinë e mungesës së letrave, të mbivendosjeve, të zyrtarëve të korruptuar, të atyre që jepnin dy herë të njëjtën gjë, të atyre që i jepnin prioritet pishinave dhe resorteve dhe jo shtëpive dhe atyre që janë hellexhinj është bërë një punë kolosale në kushte spartane”.
Ai shtoi se Kavaja po ringrihet edhe më e fortë pas tërmetit dhe pandemisë.
“Si procesi i rindërtimit, ku Kavaja po ecën shumë, shumë mirë, ashtu dhe ky proces janë të nevojshëm që të ngrihemi në 2021 shumë më të fortë seç ishim kur u rrëzuam, se këtë vit u rrëzuam, u prishën shtëpi, u sëmurën njerëz, – por pyetja është, jo sa shpejt biem, por sa shpejt ngrihemi”
Kreu i Kadastrës, Artan Lame tha se pas përfundimit të procesit të legalizimit, sfidë do jetë regjistrimi tokave.
“Jemi në vijim të një procesi që kemi rreth 6 muaj që po e ndjekim ritmikisht, javë pas jave, goditje pas goditjeje, komunë më komunë dhe qytet më qytet, për të përmbyllur procesin e legalizimeve nëpër zona dhe për të rihapur procesin tjetër që është më pas, sepse është më i rëndësishmi dhe sfida më e madhe që ka Kadastra aktualisht: regjistrimi i tokës në fshat”
Komuna e Helmësit një prej njësive administrative me më shumë ndërtime pa leje në zonën e Kavajës, është drejt përmbylljes së procesit të legalizimit për t’i hapur rrugën një tjetër procesit të rëndësishëm, atij të regjistrimit të tokës bujqësore në fshat.
Tv Klan