Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përfundojnë në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Elbasan, 15 familjet që përfituan shtëpi nga statusi i të pastrehëve. Zyra e Entit Kombëtar të Banesave në këtë qytet, bëri të ditur, se ka dërguar në gjykatë listën me emrat e 15 emrat e kryefamiljarëve që nuk kanë lidhur kontratën.

Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, menjëherë pas përfitimit të shtëpisë, të pastrehët duhet të lidhin kontratën me Entin e Banesave dhe të paguajnë fillimisht 4% të vlerës së shtëpisë. Mirëpo pasi janë futur në shtëpi, kryefamiljarët janë përgjigjur se nuk kanë mundësi financiare që të likuidojnë shumën e kërkuar, ndaj kanë hezituar të lidhin kontratën.

Drejtoria rajonale e Entit të Banesave ka njoftuar disa herë familjarët, bashkinë dhe Prefekturën Elbasan, por asgjë nuk ka ndryshuar. Të ndodhur përballë kësaj situate, Enti i Banesave në Elbasan, i është drejtuar gjykatës, për të zgjidhur ligjërisht këtë çështje. Enti i Banesave në Elbasan është duke ndërtuar një pallat me 24 hyrje për të pastrehët, që ndodhen në emergjencë në këtë qytet, por Elbasani numëron 150 familje të pastreha dhe nevojiten fonde të mëdha financiare për sistemimin e tyre./tvklan.al