Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Mbi 220 pronarë të ndërtimeve pa leje në periferi të Elbasanit, ndodhen nën ethet e privatizimit. Vija e verdhë e këtij qyteti vazhdon të kufizohet në 760 hektarë, aq sa ishte në vitin 1990. Por pas këtij viti, drejt zonave urbane u dyndën banorë të zonave rurale, të cilët ngritën shtëpitë e tyre në afërsi të qytetit.
Nisur nga një situatë e tillë, ku sundon kaosi urbanistik dhe mungon infrastruktura e domosdoshme, bashkia Elbasan dhe deputetët e qytetit, kanë bërë kërkesë që të zgjerohet vija e verdhë e Elbasanit.
Ylli Llanaj: “Ne kemi përcaktuar dhe kemi bërë kërkesën zyrtare për të pasur kufij të përcaktuar të zonave urbane të qytetit të Elbasanit. Gjykojë, që qytetarët duhet të dinë që është e rëndësishme që aty ku cenohet urbanistika, aty nuk do të konsiderohet asgjë me leje.”
Ky handikap do të zgjidhet vetëm me miratimin e vijës së verdhë të qytetit, ndërkohë zoti Llanaj shprehet se nga procesi i privatizimit do të preken ato ndërtime që bëhen pengesë për realizimin e planeve urbanistike./tvklan.al