Pasi kaluan në vendlindje festat e fundivitit, emigrantët shqiptarë kanë nisur të kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë.
Në vetëm 24 orët e fundit nga pikat kryesore kufitare që lidhin Shqipërinë me Greqinë dhe Italinë dhe Maqedoninë e Veriut janë larguar afro 11 mijë persona.
Sipas të dhënave zyrtare në pikën kufitare të Kapshticës kanë hyrë rreth 1900 persona dhe kanë dalë dyfishi i tyre, pra rreth 3700.
Shërbimet e pikës së kalimit kufitar në Kakavijë, kanë përpunuar në total rreth 4400 shtetas nga të cilët rreth 1600 në hyrje dhe 2800 në dalje.
Gjithashtu në këtë pikë kufitare janë përpunuar edhe 1691 mjete, nga të cilat 690 në hyrje dhe 1001 në dalje.
Pas përfundimit të festave të fundvitit, vihet re një shtim i fluksit edhe në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit.
Gjatë ditës së enjte, nga ky port udhëtuan drejt Italisë rreth 2,100 shtetas, ndërsa kanë mbërritur ne vendin tonë 450 pasagjerë.
Fluksi i largimeve pritet të zgjasë deri më datë 6 janar, periudhë që përkon me përfundimin e pushimeve.
I njëjti trend lëvizjes është vënë re edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës që lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kufitare janë regjistruar rreth 1.900 persona në hyrje dhe afro 2.900 në dalje.
Tv Klan