Prej së Hënës Italia do të rinisë sërish operacionin për akomodimin e emigrantëve të paligjshëm në kampin e Gjadrit në Lezhë deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil.
Lajmin e bën të ditur gazeta “Corriere Della Sera”, e cila shkruan se anija e marinës italiane “Libra” do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampedusa për të marrë refugjatët e shpëtuar në Mesdhe dhe për ti sjellë më pas ata që janë të përshtatshëm në portin e Shëngjinit.
Operacioni për sjelljen e tyre nga Italia në Shqipëri, u bllokua pas një vendimi të Gjykatës së Romës, çka detyroi autoritetet të kthenin sërish në vendin fqinj 14 emigrantët që u akomoduan në kampin e Gjadrit.
Në thelb, vendimi i gjykatës së Romës përcaktonte se “procedura kufiri i përshpejtuar” nuk mund të zbatohet për migrantët që vijnë nga vende të tjera, që konsiderohen të sigurtë vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian.
Në këto kushte qeveria Meloni miratoi një dekret duke përditesuar listën e vendeve të sigurta, duke i dhënë zgjidhje bllokimit të operacioneve për sjelljen e emigrantëve ilegal.
Pas këtij vendimi Gjykata e Bolonjës e dërgoi dekretin për interpretim në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, pasi pretendon se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi “të sigurt” bien ndesh me ligjet e BE-së. Deri tani autoritetet ende nuk kanë bërë zyrtare, numrin e emigrantëve që pritet të mbërrijnë në tokën shqiptare, e që më pas do t’i nënshtrohen kontrolleve dhe procedurave për të fituar statusin e azilantit nga shteti Italian, procedurë kjo që zgjat deri në 30 ditë.
Tv Klan