Vendimi i Gjykatës së Romës që të hënën ktheu në Itali edhe grupin e dytë të emigrantëve të jashtëligjshëm të mbërritur në Gjadër ka përfshirë në vorbullën e debateve edhe manjatin amerikan Elon Musk.
Duke komentuar një postim në rrjetin social X ku flitej për këtë çështje, bosi i Teslas dhe Space X-it i doli në krah Kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe shkroi se këta gjykatës duhet të largohen.
Por pavarësisht vendimit, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk tërhiqet.
Gazeta Italiane “La Stampa” citon Kryeministren të ketë thënë se qëllimi i vetëm i gjykatësve është ta lodhin qeverinë me vendimet e njëpasnjëshme që pengojnë zbatimin e marrëveshjes.
Në të njejtën linjë edhe zv/Kryeministri Mateo Salvini, i cili thotë se qeveria italiane e ka për detyrë të gjejë zgjidhje për të mbrojtur qytetarët italianë dhe do të vazhdojë ta bëjë.
Mediat italiane shkruajnë se qeveria ka në plan të vazhdojë të dërgojë emigrantë të jashtëligjshëm në kampin e Gjadrit, teksa vendimi i parë i 18 Tetorit i Gjykatës së Romës është ankimuar në Gjykatën e Lartë dhe pritet që një vendim për këtë çështje të jepet në Dhjetor.
Partia Demokrate në opozitë përshëndeti vendimin e Gjykatës së Romës, duke thënë se gjykatësit bënë vetëm detyrën.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare Italiane të Gjykatësve, Salvatore Kasharo tha se gjykatat në Itali e kanë për detyrë të reagojnë kur konstatojnë shkelje të të drejtave të Bashkimit Europian dhe në funksion të kësaj vendosi edhe Gjykata e Romës.
Tv Klan