Dhuna në stadiume, dhe shqetësimet që ka futbolli në Shqipëri janë diskutuar në emisionin e djeshëm “Opinion” në Televizionin Klan. Një panel i gjerë me gazetarë trajnerë si dhe presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka.
Në debate kryesisht për dhunën është pranuar se ky fenomen i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe si i tillë ka prekur edhe futbollin. Minimizimi i tij bëhet me një bashkëpunim të të gjithë organizmave dhe aktorëve të futbollit, federatës, klubeve, organeve të rendit.
Përfaqësuesi i policisë së shtetit vuri theksin tek siguria më e madhe që duhet të kenë impiantet e futbollit në vend. Në moment të caktuara ka patur edhe një debat mes presidentit Armand Duka dhe ish-sekretarit të federatës Sulejman Starova. Ky i fundit e ka akuzuar drejtpërdrejt Dukën si mbajtës peng i komisioneve juridike në federatë. Deklaratat e tij janë konsideruar nga Duka si ato në prag të një fushate, duke qenë se pas rreth një muaji do të bëhen zgjedhjet për organet e reja drejtuese të federatës së futbollit dhe mesa duket Sulejman Starova do të kandidojë për postin e presidentit.
Gjithsesi tani për tani askush nuk mund të garantojë se edhe me zbatimin me rigorozitet të rregulloreve të Federatës nuk do të ketë dhunë në stadiumet shqiptare.
Situate ndoshta do të tensionohet më tej. Klubi Tirana do të mbledhë asamblenë e jashtëzakonshme sot pasdite. Ka zëra se në asamble do të propozohet edhe një bojkotim i kampionatit. Pas masave ndëshkuese që ka marrë komisioni i disiplinës ndaj drejtuesve dhe futbollistëve të Tiranës./tvklan.al