Rubrika “Shihemi në Gjyq” këtë herë është zhvendosur nga studioja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan në zyrën e ndërmjetëses Eni Çobani. Rasti që trajtohet është ai i kullës Hupi në Bulqizë e cila  në vitin 1977 është shpallur monument kulture.

Genti është trashëgimtar i saj dhe në studion e Çobanit e ka sjellë një shqetësim i fortë lidhur me kullën e vjetër. Vetëm 500 metra larg tij ndodhet një familje tjetër me mbiemrin Hupi, por që nuk kanë asnjë lidhje gjaku. Trashëgimtari i saj, Lulian ose Lulëzim Hupi e reklamon në internet dhe rrjete sociale si kulla Hupi e duke pretenduar që në të vërtetë monumenti i kulturës, i rikonstruktuar.

Genti ka sjellë edhe imazhe të kullës dhe tregon se e vërteta është monumenti mbi 200-vjeçar. Ai konfirmon se Lulëzimi është në dijeni të këtij fakti, por i ka thënë se nuk ka asnjë problem që ai të përdorë mbiemrin e njëjtë që kanë për biznesin e tij që e reklamon si kulla Hupi.

Eni Çobani: Lulëzimi ka qenë në dijeni që kjo kullë është monument kulture dhe që nuk mund të shfrytëzohet emri i monumenteve të kulturës?

Genti: Po, e di dhe e ka shprehur edhe vetë. Më ka thënë ‘po, unë e di si është e vërteta, por pse ia vë unë kulla Hupi ku është problemi?’ Si i thashë mund t’ia vësh ti kulla Hupi dhe duke referuar gjithçka, ishte shtëpia kështu, tani është bërë kështu, është restaruar, është bërë, është kthyer?  Si mund të thuash ti kulla  Hupi se edhe kryeministri në rast se e keni dëgjuar ka thënë është një kullë historike? Kjo është thelbi i gjithçkaje. I kam thënë, Lulëzmim, mbi ç’baza flet ti se unë kam disa dokumente këtu…

Eni Çobani: E shoh që ke një dosje të tërë, po.

Genti: Këtu rezulton banesa e Sulë Hupit.

Eni Çobani: Ju flisni gjithmonë për kullën këtu, po.

Genti: Po, për kullën aty. I thashë ç’ne ti këtu? I kam thënë t’i heqësh gjërat sa i përket kullës time.

Eni Çobani i shpjegon Gentit se Lulëzimi, edhe pse nuk ka pranuar të përballet me të, ka qenë në zyrën e saj. Pa i ndarë deklaratat e tij me detaje, ndërmjetësja shprehet se Lulëzimi ka rrëzuar çdo deklaratë të Gentit. Sërish ai ka deklaruar që biznesit mund t’i vendosë çfarë emri të dëshirojë.

Eni Çobani: Unë këtu nuk mund të transmetoj dhe të  mbroj fjalët e askujt kur ai nuk vjen vetë në  publik, por dua të them vetëm një fakt: që ai hedh poshtë çdo pretendim tuajin. Do të thotë që kulla e vërtetë për të cilën ne bëjmë fjalë është kulla e tij dhe unë i kam bërë një pyetje, që kulla Hupi për të cilën pretendohet që është monument kulture, a është vërtet e Gentit apo edhe juaja? Dhe më ka pretenduar që ‘kulla dhe ajo çfarë flitet, normalisht është një gjë e rrënuar dhe nuk ekziston, unë jam Hupi dhe emrin e kësaj ose këtij biznesi e vë unë si të dëshiroj unë dhe unë e kam quajtur kulla Hupi’./tvklan.al