Përmbajtja ofenduese e enciklopedisë së Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve është dëshmi se ka ardhur koha që shqiptarët e Maqedonisë të formojnë akademi të veçantë. Kështu ka vlerësuar sot kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, duke komentuar përmbajtjen skandaloze të kësaj enciklopedie.
Menduh Thaçi: “Është një imitim qesharak i Francus Caselam … Është i mjerë ai popull i cili ka Akademi të këtillë. Këta duke tentuar t’i vendosin vetulla popullit të vet, si duket ja nxjerrin sytë. Sa u përket shqiptarëve s’është kjo për tu brengosur shumë. Shqiptarët duhet ta kenë Akademinë e vet shqiptare në Maqedoni.”
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, në një deklaratë telefonike ka thënë se përmbajtja e kësaj enciklopedie është një provokim, i cili nuk i nevojitet Maqedonisë.
Ali Ahmeti: “Në këtë kohë Maqedonisë nuk i duhet fare nuk i duhet një provokacion i tillë, aq më pak nga bashkëqytetarët e vet të komunitetit maqedonas. Kur në një kohë kontestohet thuajse nga të gjithë fqinjët përjashto vetëm Shqipërinë fqinje, Kosovën fqinje dhe vet shqiptarët etnik dhe autokton në Maqedoni.”
Edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni ka paralajmëruar reagim zyrtar ndaj përmbajtjes së enciklopedisë. Lëvizja qytetare “Zgjohu” nesër do të organizojë një pres konferencë para akademisë maqedonase ku do të kërkojë edhe një herë tërheqjen e kësaj enciklopedie nga përdorimi. Në të kundërtën kjo lëvizje së bashku me shoqata të tjera jo qeveritare, shqiptare do të organizojë protesta masive në Shkup.
Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al