Rreth 5 mijë studentë të përkrahur nga mijëra qytetarë të tjerë kanë protestuar sot rrugëve të Tetovës kundër enciklopedisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
Duke bartur flamuj shqiptar dhe amerikan me brohoritje “United Albania”, “Një komb një akademi”, “Poshtë enciklopedia”, protestuesit kanë marshuar 2 orë resht rrugëve të Tetovës.
Organizatorët e kësaj proteste kanë kërkuar tërheqje të plotë të enciklopedisë. Në të kundërt ata kanë paralajmëruar vazhdim të mëtutjeshëm të protestave, kurse nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe për destabilizim të Maqedonisë.
“Thellohet hendeku i marrëdhënieve ndëretnike këtu, acarohen marrëdhëniet ndëretnike këtu dhe kërkohet që të tërhiqet kjo enciklopedi pasi që mund të ketë pasoja për stabilitetin në vend dhe më gjerë.”
Protesta kundër enciklopedisë maqedonase nesër do të zhvillohen edhe në Shkup para qeverisë së Maqedonisë në organizim të Bashkimit Demokratik Kombëtar.
Isen Saliu: “Revolta e grumbulluar dy javë rresht pas publikimit të enciklopedisë skandaloze maqedonase ka shpërthyer sot në Tetovë. 5 mijë studentë të përkrahur edhe nga mijëra qytetarë tjerë të këtij qyteti kanë protestuar sot me porosi të qartë. Enciklopedia duhet të tërhiqet ose pasojat për Maqedoninë do të jenë të pa parashikueshme. Nga Tetova për Tv Klan Isen Saliu.”/tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu