Më 25 nëntor, AKEP miratoi dhënien e autorizimeve ndaj operatorëve telefonikë për të implementuar rrjetin e teknologjisë 5G. Eksperti i teknologjisë Elvis Bregu e cilëson këtë lajm si një nga më të mëdhenjtë për teknologjinë lidhur me vendin tonë.
Ai shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se jemi ndër vendet e fundit të Europës që përdorim gjeneratën e pestë të telefonisë së lëvizshme (mobile). Për ta kuptuar më thjesht, Bregu rendit tri përfitimet kryesore që do të kenë abonentët nga ky shërbim, ku pika më kyçe është shpejtësia e lartë.
Elvis Bregu: E para është shpejtësi shumë e lartë e komunikimit pra nëse ti e përdor telefonin për të luajtur lojëra apo për të parë video apo filma në Netflix, tashmë do të kemi një cilësi shumë më të madhe dhe shpejtësi shumë më të lartë. Kjo do të thotë që do të ketë edhe aplikacione të tjera që do të funksionojnë shumë më mirë në Shqipëri siç funksionojnë në vende të tjera të Europës.
E dyta është fakti që vjen me një shpejtësi lidhjeje shumë më të shpejtë. Shpejtësia e lidhjes ka lidhje me faktin që nga momenti që ti e nis një komandë drejt shërbimit, drejt serverit, drejt lojës apo drejt shërbimit mjekësor në rastin konkret sepse ky është një nga skenarët mjekësorë shumë të përhapur, koha nga momenti që ti nis komandën dhe deri në momentin që serveri qendror e ka marrë komandën dhe të kthen përgjigje me një veprim, është shumë më e shkurtër, është jashtëzakonisht e shkurtër, flitet deri në 1 milisekondë, gjë që është akoma më e shpejtë se edhe linjat fikse. Edhe fibra optike në fakt në rastet më të mira shkon dikur deri në 10 milisekonda në implementimet e mira, ndërkohë që me rrjetin 5G kjo shkon deri 1 milisekondë, ka raste mund të shkojë edhe më shpejt. Sigurisht kjo vjen pasi bën të gjtha investimet e duhura dhe infrastruktura është në nivelin e duhur.
Ka edhe një të fundit, për shembull të gjithë kemi vënë re që kur ka një koncert të madh, ka shumë njerëz në një ambient apo një ndeshje në stadium, kemi gjithmonë probleme me ndarjen e fotove apo me komunikimin, kjo për faktin se teknologjia e telefonisë së lëvizshme apo të gjitha llojet e teknologjisë sot, kanë vështirësi me numra të mëdhenj, pra kur flasim për dhjetëra, mijëra njerëz në një vend të caktuar, gjithmonë teknologjia e komunikimit ka vështirësi me shpërndarjen e këtij lloj interneti në këto lloj dimensionesh. Ndërkohë 5G në të kundërt, këtë ka nga avantazhet kryesorë. Pra në një ambient të tillë me pak metra apo sipërfaqe katrorë, mund të shërbejë nëpërmjet teknologjisë 5G me dhjetëra, mijëra abonentë edhe në një 1 km katror, flitet që mund të shkojë te 1 milionë në të njëjtën kohë.
Në njoftimin zyrtar, AKEP ka cilësuar se sipërmarrësit që kanë marrë përsipër frekuenca të caktuara, brenda vitit 2025 “duhet të sigurojnë mbuliminn e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike”. Deri në fund të vitit 2027 duhet të mbulohet me shërbim 55% e popullsisë dhe 85% e saj deri në vitin 2030.
Sipas AKEP, “lançimi i teknologjisë 5G brenda këtij viti shënon një etapë kyçe për vendin tonë në përmbushjen e agjendës dixhitale, sipas planit broadband të Këshillit të Ministrave dhe objektivave të Bashkimit Europian”./tvklan.al