Lajme Arkiva 2003
Vazhdon të mbetet e bllokuar situata në numërimin dhe dorëzimin e kutive të votimit së bashku me rezultatet e shpallura nga KZQV-të e qyteteve kryesore të vendit pranë Komisionit Qendror Zgjedhor.
Duke u gjendur përpara një situate të tillë prej tashmë dy ditësh Komisioni Qendror Zgjedhor e ka parë veten të detyruar të drejtojë një deklaratë tepër urgjente për KZQV-të e njësive bashkiake të Tiranës dhe KZQV-në e Bashkisë së Tiranës si dhe për dijeni të Partive Socialiste, demokrate, socialdemokrate, republikane dhe misionit të vëzhguesve të huaj OSBE dhe ODIHR.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar të gjitha KZQV-ve ta ndërmarrin urgjentisht masa të domosdoshme për të përfunduar procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve deri në orën 24:00 të mbrëmjes së sotme.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të KQZ-së zotit Sinani çdo pengesë që i bëhet këtij procesi nga çdo anëtar i KZQV-së përbën një shkelje të dispozitave të kodit zgjedhor dhe se KQZ-ja nuk do të ngurojë të marrë masa të ashpra ndëshkuese ndaj atyre komisionerëve që do të cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Erton Sinani: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson faktin se KZQV-të e Tiranës janë në punë e sipër. Kjo është në ndryshim nga situata që kemi vërejtur orët e mëprashme. Për sa i përket afatit, afati skadon sonte në orën 12:00 të natës.
Gjithashtu Sinani ka konfirmuar se tashmë pranë KQZ-së kanë filluar të mbërrijnë ankesat e qytetarëve të ndryshëm të cilët nuk kanë mundur të gjejnë emrat e tyre në listat e zgjedhësve.
Një ankesë e tillë është bërë edhe nga analisti Fatos Lubonja, por sipas Sinanit edhe kësaj here faji nuk i faturohet listave të KQZV-së, por atyre të gjendjes civile.
Erton Sinani: Zotëria del se ka votuar në vitin 2001. Është prezent në vitin 2001 por nuk bashkëngjitet verifikimi i bërë në zyrat e qendrës civile të cilat nuk e kanë sjellë një të dhënë të tillë dhe këtu mund të shikoni te shfaqja e regjistrit të gjendjes civile hapësira është bosh. Gjithsesi vlen pretendimi i hershëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha kontestet për sa u përket listave të zgjedhësve duhet të drejtohen diku tjetër përves Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./tvklan.al