Deklaratave të Lulzim Bashës, për mënyrën se si do të sillet opozita e re pas humbjes në 25 Qershor u është përgjigjur ish-nënkryetari Astrit Patozi. Sipas tij, Basha nxitoi të marrë skeptrin e opozitës dhe të përcaktojë kushtet për t’u pranuar në luftën me qeverinë nën flamurin e tij. Por për Patozin, opozita e Bashës është kompromentuar që në nisje.
“Lulzim Basha është sot, që po flasim, politikani më i kompromentuar në Tiranë, i cili akuzohet nga të gjitha anët për një pazar të mbyllur dhe okult me Edi Ramën. Edhe në mos qoftë ashtu, siç flitet gjerësisht, marrëveshja e 18 Majit ishte e tillë që fundosi përfundimisht shpresat e Partisë Demokratike, por edhe të çdo partie dhe fluksi që sot është në opozitë, për një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 25 Qershorit”.
Në një shkrim të gjatë të publikuar online, Astrit Patozi komenton edhe derën e hapur të Bashës për LSI-në.
Nëse e ka fjalën edhe për LSI-në, Lulzim Basha duhet të shprehet se çfarë ka ndryshuar tek ai, që një javë para 18 Majit vajti e iu ul në gjunjë Ilir Metës (tek ai takimi i famshëm, që nuk u mbajt dot i fshehtë) dhe pastaj u hodh në krahët e Ramës, duke identifikuar partinë e presidentit si shënjestrën kryesore të fushatës. E mbi të gjitha çfarë rrethanash kanë ndryshuar dhe çfarë garancish ka tani që këtij “fjalëmbajturit” të çadrës së lirisë nuk do t’i dalë diçka tjetër në të ardhmen që ta joshë njësoj si më 18 Maj?
Sipas Patozit, Basha ngutet të marrë vendin e protagonistit në opozitë edhe për shkak të asaj që ndodhi me zgjedhjet brenda PD-së. Ish-nënkryetari thotë se Basha doli nga një palë zgjedhjesh të neveritshme në Partinë Demokratike, të cilat, sikur të mos mjaftonte që ishin farsë, por edhe u manipuluan.
Tv Klan