Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thotë se Rama dhe Partia Socialiste po bëjnë gjithçka që t’i ikin drejtësisë. Ai shprehet se mazhoranca po përpiqet që të largojë vëmendjen nga puna që po kryen Komisioni Hetimor për Inceneratorët. Megjithatë, Basha thotë se demokratët nuk do të tërhiqen dhe inkurajoi prokurorët që të bëjnë punën e tyre.
“Edi Rama dhe PS po bëjnë gjithçka për t’i ikur drejtësisë. Ata po përpiqen ta pengojnë dhe të largojnë vëmendjen nga puna e madhe që ka kryer Jorida Tabaku me Komisionin Hetimor për inceneratorët. Ne nuk do të tërhiqemi, por do të vazhdojmë të vendosur, punën, për të zbuluar gjithçka, deri në fund. Shqiptarët e dinë që qeveria ka shumë për të fshehur, dhe që ky komision po i zbulon dita ditës se si ata kanë vjedhur 430 milion euro. Ne inkurajojmë prokurorët të bëjnë punën e tyre dhe i bëjmë thirrje Ramës dhe PS që të mos nervozohen, ndonëse duket qartë se pse kanë gjithë arsyet e botës për tu frikësuar”, shkruan Basha në Facebook.
Ditën e sotme, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja, për këtë çështje. Por në mbledhjen e komisionit, ky takim u shoqërua me debate, ndërkohë që deputetët e mazhorancës thanë se do ta kallëzojnë penalisht në SPAK për këtë takim./tvklan.al