Më në fund Holanda mund të mbështetet edhe te Arjen Robben dhe Robin Van Persie. Futbollistët pjesë e formacionit bazë janë në planet e trajnerit Marco Van Basten, i cili nuk e ka ndarë mendjen ende nëse do ta nisin nga fillimi sfidën e së premtes ndaj Francës.
Një lajm i keq për Suedinë që nuk mund të ketë në fushë ndaj Spanjës mbrojtësin me përvojë Niclas Alexandersson. Lojtari 36 vjeçar i Goteborg është lënduar në pulpë në sfidën e së martës me Greqinë. Ai pritet të zëvendësohet nga Fredrik Stoor. Kjo mungesë i shtohet asaj të Christian Wilhelmsson që pati probleme me muskujt e kofshës para disa ditësh.
Shqetësime me të dëmtuarit edhe në skuadrën rumune e cila nuk do të ketë dhe ndaj Italisë sulmuesin, Ciprian Marica, pasi nuk është riaftësuar në kohë. Marica u dërgua në spital të martën pas një përplasje gjatë stërvitjes me shokun e tij të ekipit Marius Niculae. Ai do të jetë në formë përpara takimit të fundit në grup me Holandën më 17 qershor./tvklan.al
Gazetar: Endrit Sauku