Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka vlerëson paraqitjen e Kombëtares në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, ndërsa shtoi se kuqezinjtë nuk mund të bënin më mirë përsa i përket rezultatit. Vlerësimet ishin maksimale për tifozët kuqezi nga kreu i institucionit të futbollit shqiptar, që ishte i ftuar në emisionin Kampionët në TV Klan.
“Ka gjëra për të cilat duhet të jemi krenar. Ekipi duhet falënderuar që na çuan atje, jo vetëm ata që ishin në Europian. Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Rezultati do ishte i mirë nëse do ta kalonim grupin. Po të ishim pak më inteligjent do ta kishim kaluar grupin, po të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht. Ndeshjen e parë me Italinë pasi shënuam ndoshta ramë në emocion. Goli që në futboll duhet të të lirojë dhe të shkosh përpara, na futi nën presion. Në atë ndeshje mbase duhet të ishim më të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur”.
Presidenti Duka u shpreh sa i përket Europianit të Shqipërisë, se ka qenë shumë emocionues dhe shtoi se duhet eksperienca, që të jetë më e lehtë menaxhimi i emocioneve edhe për lojtarët.
“Tani nga 24 skuadra, 8 do të eliminohen. Për mua të 24 janë të nivelit të lartë, përderisa bëhen pjesë e Europianit. Fakti që Gjeorgjia kalon dhe Ukraina nuk kalon me 4 pikë tregon se diferencat nuk janë shumë të mëdha. Qoftë edhe ne, mbase me më shumë zgjuarsi, apo me më pak emocion mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin edhe pse ishim në ‘grupin e vdekjes’ siç u etiketua. Nuk do të thotë ndonjë gjë, sepse ato skuadra që ishin në grup me ne u eliminuan janë më pak të forta, apo më të dobëta. Kam përjetuar emocione shkatërruese. Sidomos ndeshjen me Kroacinë kam menduar se nuk do të shkoj deri në minutën e 90, kështu që imagjino ato të tjerët që kanë qenë në fushë. Më shumë emocione se tek ajo ndeshje nuk kam ndjerë asnjëherë në jetën time sepse ishim 1-0, shkonim pranë golit dhe duke e ditur atë teorinë e futbollit që nëse nuk shënon do të pësosh, ajo ma shtonte më shumë ankthin, emocionin dhe faktikisht ndodhi që ata shënuan dy herë.“
Kreu i FSHF gjykon se në ekipin Kombëtar duhet të injektohet besimi që në çdo ndeshje pavarësisht kundërshtarit, ekipi duhet të futet në fushë vetëm për fitore. Duka u ndal edhe tek e ardhmja e trajnerit Silvinjo.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Europianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë. Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50%. Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Pas kthimit në Shqipëri bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Silvinjo iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Europiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mançini la Italinë për një ofertë të majme”, – tha Presidenti Duka.
Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit zgjodhi Silvinjon si trajnerin më të mirë që ka pasur Kombëtarja dhe pas tij De Biasi-n.
“Nuk do t’i shmangem asnjë pyetjeje. Na erdhi për mirë goli i shpejtë ndaj Italisë se thyem një rekord. Ne mund të kishim menduar shumë gjëra, por të bënim golin për 23 sekonda ndaj Italisë nuk e menduam kurrë. Silvinjos i vë notë kaluese, pozitive, nuk ka kurrë 10 në futboll. I jap 7. Të parin zgjedh Silvinjon. Ka krijuar atmosferë pozitive në një kohë shumë të shkurtër. I dyti është De Biasi, sepse kemi shkuar në Europian me të për herë të parë. Nga pikëpamja taktike, kam respekt të madh për Oto Baric. Zhgënjimi më i madh nga të gjithë trajnerët është Panuçi, pasi tij, Dosena. Goli më i bukur i shënuar nga lojtarët e Kombëtares në Europian është i Bajramit. Lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi shqiptar për mua ishte padiskutim Asllani”.
Presidenti i FSHF ka rezerva për arbitrimin në sidën kduërn Spanjës që sipas tij ishte nën nivelin e takimit.
Klan News