Shqipëria humbi ndaj Spanjës të hënën duke u eliminuar në këtë mënyrë nga Euro 2024. Për të folur më shumë mbi këtë ndeshje të rëndësishme, në një lidhje direkte me Klan News ishte ish-futbollisti Altin Rraklli, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se formacioni për këtë ndeshje duhej të ishte menduar më mirë.

Ish-futbollisti u shpreh se sa i takon Armando Brojës dhe Arbër Hoxhës duhej të ishin futur që në fillim të ndeshjes në lojë. Rraklli vlerësoi lojën e tyre ku theksoi se nëse ato do të ishin aktivizuar që në fillim diçka mund të kishte ndryshuar.

Altin Rraklli, ish-futbollist: Është e justifikueshme humbja. Paraqitja ishte deri diku më e mirë. Çunat padiskutim dhanë maksimumin. Ndoshta nga stafi duhet të kishim pritur pak më shumë. Mënyra se si u realizua formacioni me lojtarë që kishin dy ndeshje që aktivizoheshin ose ishin pak më të lodhur se lojtarët që kishin më pak minuta. Unë për vete do të kisha futur Brojën nga fillimi sepse në ndeshjen e fundit nuk ishte. Ishte më i freskët se sa Manaj që luajti 90 minuta.

Në këtë rast them që duhej të ishte menduar më mirë nga stafi sa i përket freskisë fizike sepse ju e dini ndeshja e tretë kërkon më shumë freski fizike se sa kualitet, kur ndërkohë kishim përballë një skuadër që vinte më lojtarë të stolit. Megjithatë e përgjithshmja ishte që skudra dje dha maksimumin e vet. I kishte disa raste të mira për shënim por në fund fare nuk mjaftoi për kualifikim.

Broja shumë i freskët, shumë i shpejtë, i fuqishëm dhe nëse do të ishte futur nga fillimi kam përshtypje se do të kishte rrezikuar më shumë portën e kundërshtarit. Edhe për Hoxhën isha që ta fillonte nga fillimi. Ishte një ndeshje nga e cila ne nuk kishim çfarë humbnim. Nuk duhej ta filloje me kujdes këtë ndeshje. Unë mendoj që në këtë ndeshje ne duhej të futeshim nga fillimi me lojtarët më të freskët dhe më të shpejtë. Ky ishte edhe shanci jonë në këtë ndeshje që të fitonim.

Ndërkohë ndër të tjera Altin Rraklli vlerësoi të gjithë futbollistët e Kombëtares ku tha se ata kanë dhënë gjithçka nga vetja për këtë ekip, por u shpreh se është surprizuar më shumë nga futbollisti Arbër Hoxha. Gjithashtu ai shprehu vlerësimet e tij edhe për trajnerin Sylvinho ku theksoi se ai duhej të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares./tvklan.al