Spanja vazhdon përgatitjet në qendrën stërvitore të Donau-shingen, në prag të sfidës gjysmëfinale kundër Francës në 2024. Skuadra e Luis de la Fuente po kalon një formë të jashtëzakonshme me pesë fitore radhazi deri më tani në Kampionatin Europian, por në sfidën e Mynihut nuk do të ketë të disponueshëm disa futbollistë.
Mesfushori Pedri është jashtë turneut pasi pësoi një dëmtim në gju pas një ndërhyrjeje të gjermanit Toni Kros. Në çerekfinalen kundër pancerave u morën 16 kartonë të verdhë, e kundër “Gjelave” do të mungojnë mbrojtësit Robin le Normand dhe Dani Carvajal.
Mbrojtësi i Realit, Naço do të luajë në qendër të prapavijës, bashkë me Aimerik Laporten dhe 38-vjeçarin Hesus Navas në të djathtë, i cili është lojtari i fundit i brezit të artë të Spanjës që fitoi Botërorin në 2010 dhe Europianin 2 herë radhazi, në 2008 dhe 2012.
Navas do të ndihmojë në aksionet sulmuese talentin Lamine Jamal, i cili luan si sulmues krahu dhe është një nga pikat më të forta të “La Roja” bashkë me Niko Uilliams në të majtë të ofensivës. Përzierja e eksperiencës me talentin duket se është sekreti i Spanjës së drejtuar nga De la Fuente.
Klan News