Spanjë-Francë është gjysmëfinalja e parë e Euro 2024. Të dy skuadrat kaluan me vështirësi kundërshtarët në çerekfinale.
Përfaqësuesja spanjolle mundi 2-1 pas 120 minutave lojë atë vendase, Gjermaninë. Një ndeshje e luftuar ajo e zhvilluar në Shtutgart.
Të dy skuadrat edhe pse u përpoqën shumë nuk arritën të realizonin në pjesën e parë. Në të dytën Dani Olmo i aktivizuar në vend të Pedri të dëmtuar kaloi Spanjën në avantazh, duke shfrytëzuar një pasim të Yamal brenda në zonë.
Gjermania rriti ritmin e lojës ku mes rasteve ishte edhe një shtyllë e Fullkrug, por barazimi erdhi nga Ëirtz në minutën e 89’.
Kjo e çoi takimin te pjesët shtesë. Gjermanët patën pretendime edhe për një 11-metërsh, pasi goditja e Musiala u pengua me dorë brenda zonës nga Cucurella, por nuk u konsiderua si e tillë nga arbitri Taylor.
Në minutën e 118’ zëvendësuesi Merino realizoi golin e fitores duke kualifikuar Spanjën. Në fund Carvajal u ndëshkua me të kuq.
Franca arriti gjysëmfinalen pas penalltive në takimin me Portugalinë i zhvilluar në Hamburg. Nuk ka lavdi për Cristiano Ronaldo.
Kjo sfidë u ndez në pjesën e dytë ku pavarësisht rasteve të shumta nuk pati gola. Kjo për meritë të portierëve apo edhe ndonjë pasaktësi e atyre që kërkonin të shënonin.
Edhe pse u luajtën edhe pjesët shtesë ndeshja u mbyll 0 – 0. Te penalltitë portugezëve i kushtoi gabimi i Joao Felix. 11-metërshi i tij preku shtyllën.
Franca dhe Spanja tani do të presin 9 korrikun në Mynih ku do të luhet ndeshja që të jep mundësinë të shkosh në finalen e 14 Korrikut në Berlin që do ta ndiqni në TV Klan ashtu si gjithë këtë Europian.
Tv Klan