Monedha e përbashkët evropiane ka qenë monedha më e goditur në tregjet valutore gjatë ditës së sotme. Euro ka rënë më shumë se 1% ndaj jenit japonez dhe gati 1% ndaj dollarit amerikan. Ndërkohë dollari amerikan arritit të rikuperonte terrenin e humbur gjatë ditës së djeshme ndaj euros dhe monedhave të tjera evropiane. Investitorët gjithsesi mbeten në pritje të fjalimit që do të mbajë sot shefi i Rezervës Federale Amerikane për të parë se sa reale janë pritjet e tregjeve financiare për një rritje të normave të interesit për dollarin. Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare në tregun tonë të brendshëm valutor monedha jonë kombëtare ka humbur terren ndaj dollarit amerikan ndërkohë që leku është vlerësuar lehtësisht ndaj euros. /tvklan.al